Pas komunikimit në Facebook të kryeministrit mbi kërkesat e studentëve ka ardhur edhe reagimi nga Partia Demokratike. Zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa gjatë një postimi në Facebook shprehet se kryeministri kërkoi të mashtronte studentët me qëndrimet e tij.
“Rama kërkon të kapë Rektoratin, atë që s’e bëri dot me Shullazin, kërkon ta bëjë duke shfrytëzuar studentët! Harroje Edi Rama me mashtrime nuk u hedh dot hi syve studentëve.
Plotëso kërkesat që të kanë nisur të qarta me shkrim dhe lëri monologjet me komente të paracaktuara për të mbajtur mediat 2 orë larg protestës masive të studenteve”, shkruan Zhupa.
Zëdhënësja e PD-së theksoi se skema e qeverisë synon t’i çojë studentët te privati, duke hequr edhe sistemin part/time, që ndikon te të rinjtë që punojnë dhe studiojnë.
“Ti ke rritur tarifat sepse vendose me VKM tavanin e tarifave, ul tavanin dhe është e qartë çfarë ndodh me tarifat. Ti ke vendosur një sistem që nuk ka lidhje me meritë dhe preferencë, por një sistem terrori që duhet të ndërtosh skema si mos ngelesh pa shkollë, ose ndryshe shko te privati. 70% e studentëve të mi, janë në degën e tyre preferencë te 10, duke bërë diçka ndryshe nga pasioni i tyre. Ti ke vëne ministre me mesatare 5.9, por një nxënës që në moshë adoleshence del me këtë mesatare i ndalohet me VKM nga ty edhe konkurrimi për shkollën e lartë. Ti ke hequr universitetin part/time duke ja u bërë të pamundur një studenti që edhe të punoj dhe të shkollohet. Nëse punon, lë pas dore disa lëndë që ti ja bëre me VKM me para kreditet e mbartura. Ti ke larguar nga Shqipëria me politikat e tua vetëm për oligarkët, 123.570 të rinj deri në 35 vjeç që janë regjistruar për azil ekonomik sipas të dhënave të EUROSTAT. Në fjalimin e parë i quajte ngelës, në fjalimin e dytë i quajte student, në fjalimin e tretë kërkon t’i bësh bashkëqeverisës, ndërsa në fjalimin e katërt do duhet të pranosh që ata do jenë qeverisës pa ty”, thekson Zhupa.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




