Nga Gazeta Si - Gjatë një festivali të zhvilluar në fshatin Delisuf të Vlorës, u arrestuan 7 shtetas që vepronin si grup kriminal (5 shtetas të huaj dhe 2 shqiptarë), për shitjen e dozave të drogave të ndryshme.
U sekuestruan sasi të lëndëve narkotike kokainë, MDMA, ekstazi, LSD dhe kanabis, 2 automjete dhe 1800 euro të përfituara nga shitja e dozave të lëndëve narkotike.
Në bazë të informacioneve, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Vlorë finalizoi operacionin policor antidrogë të koduar “Parts 28”, gjatë të cilit shërbimet e Policisë ndërhynë në perimetrin ku zhvillohej festivali dhe arritën të kapnin dhe të vinin në pranga shtetasit:
A. S., 37 vjeç, banues në Poloni; P. O., 38 vjeç, banues në Hungari; Ch. G., 27 vjeç, banues në Itali; G. M., 20 vjeçe, banuese në Itali; P. S., 43 vjeç, banues në Çeki; S. S., 20 vjeç, banues në Tiranë; F. K., 27 vjeç, banues në Kosovë.
Këta shtetas vepronin si grup duke siguruar droga të ndryshme, të cilat i ndanin në doza dhe ua shitnin turistëve dhe pushuesve që po ndiqnin një festival të organizuar në plazhin e Delisufit, Vlorë.
“Me cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi doza dhe tableta të lëndëve narkotike kokainë, MDMA, ekstazi, LSD dhe kanabis, 1800 euro të përfituara nga kjo veprimtari kriminale dhe 2 automjete”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.