Drejtësia

Vrasja e Edmond Papës, burg për Andrew Boden, 45-vjeçari mohon akuzat në gjykatë: U fsheha se nuk kisha besim te policia

Gazeta Si - Gjykata e Tiranës vendosi të lerë të pa ndryshuar masën e sigurisë "arrest në burg" për Andrew Boden, i akuzuar si personi që për vrau Edmond Papën para dy vitesh në Tiranë në zonën e Selitës.

Gjatë seancës, 45-vjeçari Bode mohoi lidhjen me vrasjen e Papës, madje ai deklaroi se në vijim do të sjellë dëshmitarë për të provuar që nuk ka lidhje me ngjarjen.

“Nuk kam lidhje me personat e të cilët me akuzojnë se kam miqësi. Gjatë kësaj kohe jam fshehur, sepse nuk kam besim tek drejtuesit e policisë. Gjatë gjithë kohës kam qenë në Shqipëri, nuk jam larguar jashtë vendit”, mësohet të jetë shprehur ai në sallë të gjyqit.

Bode u arrestua para dy ditësh në qytetin e Memaliajt nga një operacion i zhvilluar nga forcat RENEA dhe policia e Gjirokastrës.

Bashkë me të u arrestuan edhe Julian Kalemi, i cili kishte strehuar në banesë Boden, si dhe Adriatik Kalemi alias Andrea Kalemi, të cilit iu gjet në banesë një arsenal armësh.

Edmond Papa, biznesmen nga Fieri me banim në Sarandë, u ekzekutua në Selitë në Tiranë, më 16 dhjetor 2022.

Për vrasjen e tij u arrestua Albano Velo, ndërsa Bode ishte shpallur në kërkim. Ngjarjet sipas hetuesve lidhen me konfliktet mes grupit të Edmond Papës dhe fisit Kalemi, të cilat nisën me vrasjen e Aleksandër Sadikajt në 11 qershor të vitit 2022. Shkak për sherrin mes dy fiseve, dyshohet se është bërë prishja e pazareve të drogës në Greqi.

Sadikaj ishte nipi i familjes Kalemi. Në atë kohë familjarët e tij akuzonin Edmond Papën si autor, dhe dyshohet se organizuan planin për vrasjen e tij, që u finalizua në 16 dhjetor të dy viteve më parë.

Pas kësaj ngjarje u tentua të vritet dy herë në Greqi Andrea Kalemi, i cili mbeti i plagosur. Pas këtyre tentativave, në shenjë hakmarrje për vrasjen e Edmond Papës u tentua të vritet vëllai i tij, Zamir Kalemi. Në 13 janar të këtij viti, atij iu bë atentat në Selitë teksa po udhëtonte me një automjet tip “Smart”.

Ndërsa tentativa e fundit për të goditur Adriatik Kalemin ishte në 20 korrik, ku u be atentat ne lokalin që ai zotëron në Memaliaj.

Aty u vra babai, Shyqyr Kalemi, kamerieri Gledio Muka dhe klienti Marsel Çela, si dhe u plagos xhaxhai i tij Artur Kalemi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë