Futboll

Legjionarët, mes sherreve dhe transferimeve në këtë verë

Nga Gazeta Si – Elseid Hysaj po kalon momente jo të mira te Lacio. Mediat italiane raportojnë se mbrojtësi i kombëtares shqiptare ka pasur një përplasje së fundmi me trajnerin Marko Baroni. 30-vjeçari u la në stol në ndeshjen e parë kundër Venecias dhe duket se nuk është në planet e trajnerit, çka duket se ka sjellë tension mes tij dhe stafit teknik. 

Një surprizë vjen edhe nga Sokol Cikalleshi. Pas e mbylli aventurën me kombëtaren kur Silvinjo nuk e ftoi në europian, ish-sulmuesi kuqezi është larguar edhe nga skuadra turke e Koniasporit, me të cilën luajti 104 ndeshje dhe realizoi 30 gola. Cikalleshi pritet që të firmosë në Iran me skuadrën e Traktorit, ndërsa në Shqipëri kishte shfaqur interes skuadra e Egnatias. 

Sa i përket lojtarëve më në formë të kombëtares, padyshim që njeriu i momentit është Mirlind Daku. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka tundur sërish rrjetën në kampionatin rus në takimin që ekipi i tij Rubin Kazan fitoi 2-0 përballë Dinamo Makaçkala. Vendasit fituan një penallti në fundin e pjesës së parë, të cilën e mori përsipër 26-vjeçari shqiptar, që e dërgoi në trekëndëshin e portës. Ky ishte goli i pestë i Dakut këtë sezon në 6 ndeshje të luajtura dhe i katërti radhazi. 

Ndërkaq, golin e parë në Bundesligë e shënoi shqiptari me pasaportë zvicerane, Granit Xhaka, duke realizuar një kryevepër ndaj ish-skuadrës së tij, Borusia Mynshengladbah, ndërkohë që edhe ky takim për skuadrën e Leverkusenit shkoi njësoj, barazim deri në minutën e 100, 2-2 ndërkohë që në të 101-të, Virtz shënoi golin e tretë për ekipin e Alonsos dhe të dytin personal duke marrë fitoren e parë në këtë edicion të ri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë