Gazeta Si - Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet mbi ngarkesën prej më shumë se 800 tonë mbetje toksike të nisur nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës, por që pritet të kthehet sërish në Durrës.
Përmes një njoftimi për median, Prokuroria e Durrësit konfirmoi se ka regjistruar procedimin penal për 3 vepra: kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara, transportim i mbetjeve dhe shpërdorim detyre.
Ndërkohë, mbetjet ishin deklaruar në doganë nga kompania private si oksid hekuri, pra si mbetje që nuk ishin të rrezikshme.
Fillimisht, ka qenë Policia e Durrësit që kreu procedurat paraprake të verifikimit dhe procedimit penal, duke ia kaluar më tej dosjen prokurorisë, ndërsa për transportin e mbetjeve si nënkontraktor është një tjetër kompani private shqiptare, e cila po hetohet për transportim të mbetjeve toksike.
Dogana ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni për ngarkesën, por Prokuroria e Durrësit po kontrollon të gjithë dokumentacionin doganor nëse procedurat janë kryer siç duhet apo edhe nëse ka mangësi në to.
Alarmi për mbetjet u dha më 5 gusht nga organizata joqeveritare e kontrollit botëror të mbetjeve toksike, “Basel Network Center” dhe dy ditë më pas u publikua nga media “Bloomberg”, duke vënë në lëvizje autoritetet.
Sipas kësaj organizate, më shumë se 800 ton pluhur nga furra elektrike u ngarkuan në portin e Durrësit në muajin korrik dhe kishin si destinacion final Tajlandën.
Pluhuri është një produkt mbeturinash të rrezikshme që zakonisht vjen nga riciklimi i hekurit të përdorur dhe përmban okside metalesh toksike, të cilat janë të dëmshme për shëndetin dhe mjedisin.
Tajlanda i ka kthyer mbrapsht dy anijet e kompanisë “Maersk”, “Compton” dhe “Candor”, me 100 kontejnerë në bord dhe së shpejti pritet të ankorohen në Portin e Durrësit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.