Gazeta Si - Interpoli shqiptar ka ekstraduar nga Greqia shtetasin Firdeus Berberi, i cili akuzohet për një plagosje të ndodhur në vitin 2022.
Në një njoftim për mediat, Policia e Shtetit thotë se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Pogradec, me vendim penal të datës 29.04.2022, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprën penale “vrasje me dashje” e mbetur në tentativë dhe kryer në bashkëpunim, “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “prishja e qetësisë publike”.
Më datë 25.04.2022, në Pogradec, dyshohet se shtetasi Firdeus Berberi, në bashkëpunim me shtetasin G.M., kanë plagosur me armë zjarri pistoletë shtetasin Johan Muçllari.
Plagosja që ndodhi në prill 2022 në Tushemisht, ishte vijim i një serie të ngjarjeve të rënda në drejtim të familjes së biznesmenit Jetmir Muçllari, të cilit i është bëtë atentat disa herë në hotelin e tij në Volorekë.
Djalit të tij, Joan Muçllarit, iu bë një atentat nga dy persona që lëviznin me makinë. Firdeus Berberi është djali i Ilir Berberit, i cili u akuzua dy vite më parë për sulmin me armë në hotelin e familjes Muçllari, i denoncuar nga vetë biznesmeni.
Pavarësisht se akuza për sulmin me armë ka rënë, Berberi ndodhej pas hekurave, për shkak se iu gjet një armë me vete gjatë arrestimit nga policia.
Për këtë ngjarje, Gjykata e Korçës vendosi masën e ‘arrestit me burg’ për shtetasit: Fatjon Bono; Kristian Kresto; Hekuran Gjona; Ledion Shkullaku; Rudi Shaho.
Ata akuzohen për përkrahje të autorit pas krimit, moskallëzim krimi dhe veprime qe pengojnë zbulimin e të vërtetës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.