Ka ndodhur

Rikthehet ‘lufta’ e Volorekës në Pogradec, plagoset djali i pronarit të hotelit

Gazeta Si - Joan Muçllari ka rënë pre e një atentati pasditen e kësaj të hëne në Pogradec. Ai është djali i Jetmir Muçollarit, pronarit të hotel "Voloreka" në Tushemisht.

Ngjarja dyshohet se lidhet me një konflikt të hershëm, ku në 12 gusht 2020 u qëllua drejt hotel "Voloreka", që ishte plot me pushues.

I plagosuri Joan Muçllari, ka shkuar vetë në spital dhe ka deklaruar se autorët kanë qenë 2 persona.

Në njoftimin e policisë, thuhet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit dhe se i riu është dëmtuar me armë zjarri pistoletë në këmbë.

Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe pas hetimeve të para, ka bërë të mundur identifikimin e autorëve. Ata janë Firdeus Berberi dhe Greis Maxhari, të cilët janë shpallur në kërkim.

Fillimisht Muçllari është konfliktuar me fjalë me ta dhe më pas janë qëlluar me grushte. Ndërsa sherri ka agravuar, një nga personat e përfshirë ka qëlluar me pistoletë, duke plagosur në këmbë Muçllarin.

Dyshohet se i plagosur ka mbetur dhe një nga autorët, i cili është Greis Maxhari, për të cilin thuhet se është goditur me thikë.

Muçllari ështënjë emër jo i panjohur për mediat, pasi dy vite më parë iu bë atentat babait të tij, pasi u qëllua me armë në drejtim të hotelit në pronësi të tyre, në pikun e sezonit turistik.

Ngjarja e sotme dyshohet se ka lidhje me atentatin e dy viteve me parë, ku u qëllua drejt hotel "Voloreka" ndërkohë që ishte i mbushur me pushues.

Lidhur me ngjarjen e dy viteve më parë, policia vuri në pranga Ilir Berberin 52 vjeç, Ilir Meçollin 22 vjeç, Ardian Xhutin 29 vjeç dhe Elvir Haxhian 32 vjeç.

Një nga autorët që qëlloi me armë ndaj Muçllarit sot, është Firdeus Berberi, djali i Ilir Berberit, një nga të arrestuarit nga policia për ngjarjen e para dy viteve.

Autorët dyshohet se janë larguar me një makinë nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë mësohet se Muçllari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë