Ne rrjet

Në qelitë mes robërve rusë të luftës të kapur nga ukrainasit pas ofensivës në Kursk: Nuk e prisnim që do ta sulmonin

Gazeta Si - “Kishte disa ditë që radio nuk punonte. Më pas, në mëngjesin e 6 gushtit, ukrainasit filluan të bombardojnë pozicionin tonë me mortaja dhe tanke”.

Në një bodrum të një kolonie penale në Sumy Oblast, rreth 70 burra, shumica në të njëzetat e tyre, qëndrojnë të ulur në shtretër.

Ata janë të gjithë të mbyllur në qeli. Ka nga ata që shikojnë televizor, nga ata që lexojnë një libër, nga ata që mbajnë kokën me duar.

Të rinj, shumë të rinj - 19 vjeç - janë robërit e luftës të ofensivës në Kursk, ata që presidenti ukrainas Volodimir Zelenski i quajti "fondi i shkëmbimit", i çmuar për kthimin e ushtarëve të batalionit Azov në shtëpi, ende në duart e Moskës.

Me një grup të vogël gazetarësh ndërkombëtarë, "Corriere della Sera" pati akses në burg mëngjesin e të hënës (19 gusht). Këtu, në prani të një ushtari ukrainas, gazeta italiane mundi të intervistonte disa të burgosur rusë.

Fillimisht i kërkuan secilit prej tyre pëlqimin, duke garantuar që të mos publikohej as fytyra, as emri, siç e kërkon Konventa e Gjenevës, si dhe duke mos zbuluar vendndodhjen e burgut, siç kërkohet nga autoritetet ukrainase.

Përgjegjësi i të burgosurve, i cili u identifikua vetëm me emrin e tij, Vadym, nënvizoi se kjo është vetëm një pjesë e armiqve të kapur nga Kievi ditët e fundit: "Të paktën 300 kanë kaluar nëpër këtë koloni që nga 6 gushti" dhe ai shpjegoi se si një pjesë e ushtarëve të kapur tashmë janë transferuar në Perëndim, në qendrat e paraburgimit më larg frontit, për të parandaluar që bastisjet ruse t'i eliminojnë.

Një ushtar rus i kapur në Kursk i plagosur në këmbë

Trajtimi

Vetë të burgosurit - Pow, robër lufte sipas përkufizimit të së drejtës ndërkombëtare - konfirmuan se u ndihmuan nga zyrtarë të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, siç kërkohet nga Konventa e Gjenevës dhe se ata morën ndihmë mjekësore në spital para se të mbylleshin mes hekurave.

Në dy qelitë e para, qëndrojnë si robër rekrutët. Të frikësuar, të dobësuar. Ata mbajnë veshur tuta dhe xhupa. Janë ata që presidenti rus Vladimir Putin premtoi se nuk do të dërgoheshin të luftonin.

Ata thonë se u stërvitën mesatarisht 3-6 muaj, nuk mësuan kurrë të gjuanin dhe në fakt nuk kanë gjuajtur kurrë.

Njëri prej tyre, i plagosur lehtë në këmbë, pretendon se ka tentuar të vrasë veten me granatë për të mos u kapur dhe më pas është shpëtuar nga ukrainasit që e kanë trajtuar dhe e kanë dërguar në spital.

Një ish-student i drejtësisë, 19-vjeç, i veshur me një këmishë me kuadrate, bën një rrëfim më të detajuar të kapjes nga ukrainasit.

“Natën e 6 gushtit isha në vendrojë. Por prej disa ditësh komunikimi me komandën ishte ndërprerë dhe atmosfera ishte e tensionuar. Sigurisht, nuk e prisja që ukrainasit do të na sulmonin. Në fshatin Guevo na kapën 28 ​​veta, të gjithë u dorëzuam menjëherë”, thotë ai.

Me të edhe dy rekrutët e tjerë, njëri 21 vjeç nga Republika e Mordovisë dhe tjetri ish-mekanik nga Republika e Bashirit. Zona të thella dhe të varfra, ku nuk kanë munguar revoltat kundër rekrutimit të Moskës.

Shumë nga ushtarët e kapur rob, janë rekrutë që kanë vijuar universitetin para thittjes nën armë

Libra në burg

Në këndin përballë qelisë, dy 19-vjeçarë të tjerë nga rajoni i Moskës, një ish-zdrukthtar dhe një ish-mekanik, tregojnë disa vëllime të vënë në dispozicion nga rojet e burgut. Në pirg, ndodhet "Punëtorët e detit", të cilin Victor Hugo e shkroi në mërgim.

“Nuk e kisha lexuar kurrë”, thotë njëri nga të dy. Më pas, me zë të ulët, shton: “Në të vërtetë nuk kam lexuar asnjë libër gjatë gjithë jetës sime”.

Ne pyesim të burgosurit nëse shpresojnë të shkëmbehen. "Po, ne do të donim të shkonim në shtëpi, nuk kemi dashur kurrë të shkojmë të luftojmë", - thonë ata.

Kur pyesim për trajtimin e marrë në momentin e kapjes, përgjigja është gjithmonë e njëjtë: "normale, normale".

Dhe të gjithë raportojnë se ishin të lidhur, me sy të lidhur, por se nuk ishin keqtrajtuar. Nuk vumë re asnjë shenjë torture apo rrahje te asnjë prej të burgosurve që takuam.

Në qelinë e dytë të robërve rekrutë, atmosfera është më pak e qetë. Shumë nuk duan të tregojnë fytyrat e tyre dhe nuk duan të flasin me gazetarët.

Një i ri me kokë të fashuar e mban shikimin të ngulur në dysheme, ndërsa fqinji i tij në krevat marinari, mërmërit nëpër dhëmbë se ai studionte në universitet para se të rekrutohej dhe se tani jeta e tij ka marrë fund.

“Ata na premtuan se nuk do të merrnim pjesë në veprimtari armiqësore. Por diçka shkoi keq”. Në Rusi, të gjithë burrat, pasi mbushin 18 vjeç duhet të shërbejnë në ushtri për një vit.

Rekrutët përfaqësojnë shkallën më të ulët të ushtrisë. Ata thirren pas shkollës së mesme dhe kryejnë detyra të rëndomta, të tilla si pastrimi i borës ose pastrimi i tualetit.

Korridori i kolonisë penale ku mbahen të burgosurit rusë të luftës

Premtimi i pambajtur

Pasi Moska pushtoi Ukrainën në vitin 2022, Putin u premtoi nënave të shqetësuara se rekrutët nuk do të përfshiheshin në asnjë luftim.

“Cari” e mbajti kryesisht këtë premtim, edhe pse disa prej tyre përfunduan në Ukrainë në kaosin e vitit të parë të pushtimit ose u detyruan të nënshkruanin kontrata nga oficerët e tyre.

Shumica, megjithatë, u vendosën përgjatë kufirit të zgjeruar perëndimor për të trajtuar mungesën e fuqisë punëtore, me idenë se ata nuk do të përballeshin kurrë me sulme. Më pas, më 6 gusht, kur Ukraina pushtoi Kurskun, gjërat ndryshuan.

Hapësirat e qelisë janë të pastra, por vapa e verës mbyt pak ajrin që kalon përmes një të çare të vogël, ndërsa një derë e rëndë metalike e mbyllur me dy bulona ndan të burgosurit nga pjesa tjetër e botës.

Shefi i kolonisë penale na dërgon tek më të veteranët. Mes tyre është edhe një nënoficer nga kufiri i Kurskut, i lindur në vitin 1982: ai ka një bark të madh dhe një këmbë të lënduar nga një minë e shkelur gjatë arratisjes.

“U thirra në ushtri tre vjet më parë, sepse më dukej një punë e sigurt. Nuk e kisha menduar kurrë se do të gjeja luftë përpara”. Pastaj ai shikon lart, buzëqesh. "Mos ju ndodhet një cigare...”.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë