Gazeta Si - Xhaxhai i autorëve të dyshuar të vrasjes së dyfishtë që ndodhi në Velipojë mbrëmjen e të hënës, thotë se njëri prej viktimave duhej të ishte në burg.
Në një deklaratë për mediat, Zef Frroku akuzon shtetin, që sipas tij “nuk ka bërë mirë që ka liruar” Erisildo Ishmin pas konfliktit që ka pasur me nipat e tij, vëllezërit Eduard dhe Gëzim Frroku.
Sipas tij, fajin e ka prokurori dhe gjykatësi që e kanë liruar pasi viktima duhet të ishte në burg.
LEXO EDHE:
Vrasje e dyfishtë në Velipojë, plagoset dhe kamerieri i një lokali. Debati në hotel që i kushtoi jetën 2 të rinjve. Kush janë dy vëllezërit në arrati
Ai u shpreh se ngjarjen e mori vesh nga televizori, por pohoi se mes dy viktimave, Ersildo Ishmi dhe Arsid Hoxha dhe dy vëllezërve Frroku konflikti kishte nisur 2 javë para. Xhaxhai i vëllezërve Frroku thekson se Erisildo Ishmi ka qenë me precedent të mëparshëm penal.
“Unë e kam shtëpinë në Bushat, jam Zef Frroku. E kam parë përmes televizorit, por e di se para rreth 2 javësh kanë pasur një konflikt edhe e ka marrë shtetit dhe e ka lëshuar për 3-4 ditë. Shteti nuk ka bërë mirë që e ka lëshuar. Policia ka bërë punën e saj, e ka çuar atje, por ai prokuror, ai gjykatës që e ka lëshuar nuk ka bërë mirë as për ne e as për familjen e tij. Rrezik për ne, për familjen e tij dhe për shtetin, që favorizon ata kriminelë, që vijnë këtu edhe bëjnë terror. Nuk kam asnjë lloj kontakti me nipin se unë kam qenë në Bushat. Ata ngatërresa kanë pasur para dy javësh, por ngatërresat i trashëgojnë këtu edhe 20 vjet, a më tepër”, - deklaroi Zef Frroku, xhaxhai i autorëve të dyshuar të krimit të dyfishtë në Velipojë.
Ndërkohë, Policia e Shkodrës vijon kërkimet për arrestimin e dy vëllezërve, Edmir dhe Gëzim Frroku, pronarë të hotel "Holiday" në plazhin e Velipojës, të cilët akuzohen se vranë Ersild Ishmin, 33 vjeç dhe kunatin e tij, Arsid Hoxha, 22 vjeç. (Hoxha rezulton burri i motrës së Ersildit) rreth orës 21:00 të mbrëmjes së 19 gushtit 2024.
Ndërkohë, këtë të hënë, policia arrestoi dy punonjës të hotelit, pasi dyshohet se janë përfshirë në konfliktin ndërmjet dy vëllezërve Frroku dhe dy kunetërve, Hoxha dhe Ishmi. Në pranga kanë rënë Marjo Pali, 29 vjeç, banues në Shkodër dhe Zyber Zagrad, 26 vjeç, banues në Dibër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.