Gazeta Si – Ndërsa shoqëria civile protestonte të hënën në Tiranë për vrasjen e Egli Progës, ngjarje e ndodhur në Pogradec javën e kaluar, rendi dhe siguria publike në vend janë tronditur edhe më tej në 24 orët e fundit, duke u përfshirë nga një valë vrasjesh, plagosjesh dhe vetëvrasjesh.
Deri tani, policia ka raportuar për 5 ngjarje në 24 orët e fundit, me 6 viktima dhe një të plagosur. Tre prej tyre me armë zjarri, një me mjet prerës dhe një vrasje-vetëvrasje me litar.
Një bilanc i vërtetë lufte në kulmin e sezonit turistik, nga Velipoja, në Tiranë, Mirditë dhe Memaliaj. Përfshirë dhe plagosjen e 45-vjeçarit Lorenc Kosta në mes të Tiranës në një nga zonat më të populluara të kryeqytetit.
Të gjitha ngjarje kriminale për motive të dobëta, pronësie apo konflikti të çastit. Përveç njoftimeve me datë dhe me orë, policia nuk ka mundur të arrestojë asnjë nga autorët e dyshuar.
“Komuna e Parisit”
Gjithçka nisi mesditën e së hënës në Komunën e Parisit, ku 45-vjeçari Lorenc Kosta (punonjës i ERE-s) u qëllua me 5 plumba në këmbë nga efektivi i policisë Erjon Goxhara.
Shkak i plagosjes dyshohet se është xhelozia, pasi dyshohet se 45-vjeçari ka pasur një lidhje me gruan e efektivit.
Pavarësisht përpjekjeve të policië, nuk është bërë e mundur prangosja e efektivit, ndërsa është dhënë 10 mijë euro shpërblim për dhënien e informacionit të saktë që çon në kapjen e tij.
Po ashtu i plagosuri Kosta, ndodhet në Spitalin e Traumës nën kujdesin e mjekëve.
Pedagogu amerikan
Pasditen e të hënës, një pedagog amerikan, Mattheë James Ëertz, 53 vjeç mbyt gruan, vret me shkop bejzbolli dy qentë e tij dhe i jep fund jetës në gjendje depresioni.
Para aktit, ai kishte lënë një letër lamtumire e shkruar në anglisht, ku i kërkonte falje familjarëve që “nuk ia dola dot”, duke treguar se kishte lënë para në banesë për disa persona, të cilëve u kishte marrë borxh.
Gruaja e tij, Saragih Indah Lilis Sartika nga Indonezia, 48 vjeçe u gjet e mbytur me litar në një nga dhomat e banesës që kishin marrë me qira.
Velipojë
Mbrëmjen e të hënës, dy të rinj, Ersild Ishmi dhe Arsild Hoxha, u ekzekutuan me armë zjarri në Velipojë nga dy vëllezër pas një sherri banal që kishte nisur javë më parë.
Policia tha se autorët janë Gëzim dhe Edmir Frroku. Shkak i vrasjes së dyfishtë, dyshohet se është një konflikt i ndodhur 30 qershor 2024, ku Ersild Ishmi ka kanosur me armë kuzhinierin e hotelit në Velipojë, pasi ky i fundit kishte kanosur kamerierin.
33-vjeçari kishte shkuar në ndihmë të kamerierit duke kanosur kuzhinierin me armë zjarri. Në këtë moment pistoletën ia ka hequr nga dora njëri prej pronarëve të hotel “Holiday”.
Më 14 korrik, policia kishte arrestuar Ersildin dhe ndaj tij gjykata e Shkodrës kishte caktuar masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’
Ngjarja duket se nuk është harruar nga 33-vjeçari, i cili ka marrë dhe kunatin e tij Arsid Hoxhën dhe kanë shkuar tek hoteli i dy vëllezërve Frroku, ku gjatë konfliktit janë qëlluar me armë.
I plagosur nga kjo ngjarje e rëndë ka mbetur edhe Zyber Zagradi, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia deklaron autorët e dyshuar vijojnë të jenë në arrati dhe janë shpallur në kërkim.
Mirditë
Mëngjesin e kësaj të marte, një tjetër ngjarje e rëndë u regjistrua në Mirditë, ku 68-vjeçari Frederik Radi, është gjetur i vrarë me armë zjarri.
Pasi kishte humbur kontaktet me familjarët, ishte vajza e 68-vjeçarit që gjeti trupin e pajetë të 68-vjeçarit në banesë, dhe më pas kjo e fundit lajmëroi policinë.
Policia thotë se nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes dyshohet se 68-vjeçari është qëlluar me armë zjarri, nga dritarja e dhomës ku flinte, dhe si pasojë ka humbur jetën. Ndërsa shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme, disa shtetas, banorë të këtij fshati.
Memaliaj
Edhe një i moshuar, i cili u gjet u pajetë në një përrua në Memaliaj këtë të hënë, dyshohet se është vrarë me thikë, kjo e vërtetuar pas hetimeve të bëra nga policia.
72-vjeçari Faik Ajdini kishte humbur kontaktet me familjen prej disa ditësh, por u gjet i pajetë mëngjesin e sotëm në përroi e fshatit Zhapokikë të Memaliajt.
Nga konstatimet paraprake në trupin e të ndjerit, janë konstatuar dy goditje në qafë dhe në kokë, ku plaga në qafe ka shkaktuar hemorragji çka ka shkaktuar vdekjen.
Goditjet kanë qenë me mjete prerëse sëpatë apo thikë. Terreni shumë i vështirë në përrua ku gjendet trupi i të ndjerit, ka bërë që në vendngjarje të shkojnë specialistët e grupit hetimor për të dalë në përfundime konkrete.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




