Ka ndodhur

Familjarët gjejnë të vrarë me thikë 72-vjeçarin në Memaliaj. Pas krimit, trupin ia hodhën në përrua. Identifikohet autori

Gazeta Si - Një 72-vjeçar në Memaliaj është gjetur i vrarë nga familjarët e tij në fshatin Zhapokikë 2 rreth orës 06:40 në Bashkinë Memaliaj.

Sipas policisë, i ndjeri Faik Ajdini u gjet në një humnerë në afërsi të fshatit, i hedhur në një përrua nga autorët e dyshuar, pasi më herët e kishin goditur me një mjet prerës.

Sipas policisë, ai është vrarë me mjete prerës, thikë, ose sëpatë, dhe më pas është hedhur në përrua për të krijuar idenë e një ngjarjeje aksidentale.

Tashmë policia ka bërë të ditur se ka arritur të identifikojë autorin e vrasjes, por nuk e bën të ditur identitetin për arsye ruajtjen e sekretit hetimor për arrestimin e tij.

“Veprimet e shpejta profesionale dhe hetimore në vendngjarje, të kryera nga grupi i posaçëm hetimor bëjnë të mundur zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të humbjes së jetës së 72-vjeçarit dhe identifikimin e autorit të dyshuar të vrasjes së tij. Me qëllim ruajtjen e sekretit hetimor dhe kapjen e autorit të dyshuar nuk po bëjmë publike gjenealitetet e tij, deri në momentin e kapjes dhe arrestimit. Nga veprimet e deritanishme hetimore dhe nga ekspertiza paraprake mjekësore, në trupin e 72-vjeçarit janë konstatuar dëmtime të dyshuara të shkaktuara me mjet prerës. Këto dëmtime dyshohet se janë bërë shkak për humbjen e jetës së shtetasit F. A. Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në terren dhe në ambiente ku dyshohet se mund të fshihet autori", - njofton policia.

Sipas burimeve paraprake, dyshohet se vrasja është kryer për një konflikt me një nga çobanët e zonës, me të cilët dy muaj më parë, viktima ka pasur përplasje lidhur me një kullotë për bagëtitë.

Nga konstatimet paraprake në trupin e të ndjerit, janë konstatuar dy goditje në qafë dhe në kokë, ku plaga në qafë ka shkaktuar hemorragji, çka ka shkaktuar vdekjen.

Ndërkaq, alarmin për humbjen e gjurmëve të të moshuarit e kanë dhënë familjarët e tij, të cilët kishin më shumë se 48 orë pa asnjë kontakt me të.

Deri ditën kur ka ndodhur vrasja, viktima Ajdini ka shërbyer si kryeplak i fshatit Zhapokikë 2 pranë Bashkisë Memaliaj. Ai ishte njeriu që merrej me ankesat e bashkëfshatarëve, duke i adresuar këto ankesa në strukturat policore dhe bashkisë Memalaij.

Për momentin Prokuroria e Gjirokastrës që po heton rastin e lidh ngjarjen për shkak të detyrës që kryente 72-vjeçari Faik Ajdini. Ndërsa konflikti për kullotën e bagëtive është motive kryesor.

Ndërkaq, Policia e Gjirokastrës ka ngritur 2 postblloqe në aksin nacional Memaliaj-Krahës dhe në akset lokale Memaliaj-Sektori i Tretë dhe Krahës-Rabijë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë