Rend dhe Ligj

Rrahën në një lokal blogeren, policia u sekuestron makinat motrave Antonela dhe Mariela Berisha (por ato janë ende në kërkim)

Gazeta Si – Policia e Tiranës ka sekuestruar dy automjete të motrave Antonela dhe Mariela Berisha, të shpallura në kërkim për dhunë brutale ndaj blogeres Klea Prenga në një lokal në kryeqytet.

Bëhet fjalë për automjetin me të cilën udhëtonin natën e ngjarjes dy motrat, ndërsa makina e dytë është ajo që përdorën për t’u larguar më pas.

Me njërin mjet vajzat lëvizën nga restoranti në banesën e tyre te zona e Rrugës së Kavajës në Tiranë, dhe me tjetrin u larguan nga banesa në drejtim të paditur.

Makinat u identifikuan nga kamerat e sigurisë dhe u sekuestruan nga policia. Makinat kanë qenë në përdorim të personave të tjerë, miq të motrave.

Prokuroria e Tiranës ka lëshuar një urdhër-ndalimi për motrat Antonela dhe Mariela Berisha, për akuzën e plagosjes së rëndë në bashkëpunim.

Sherri mes motrave Berisha dhe Klea Prengës, ndodhi në javën e parë të muajit gusht në kryeqytet. Që prej asaj kohe, Antonela dhe Mariela Berisha janë në kërkim. Zyrtarisht, sipas TIMS rezulton se nuk janë larguar jashtë vendit.

Ngjarja ndodhi më 6 gusht në një lokal tek Kodra e Diellit në Tiranë, ndërsa 24-vjeçarja Klea Prenga e bëri denoncimin dy ditë më pas.

Në një postim të saj në Instagram ajo akuzoi motrat Mariela dhe Antonela Berishaj, se janë autore të dhunës fizike të saj duke i thyer një shishe në fytyrë.

Antonela u bë e njohur nga dy show televizivë në të cilat ka marrë pjesë, ‘Përputhen’ dhe ‘Big Brother Vip’. Edhe pse në kërkim nga policia, në disa raste ajo ka publikuar foto në Instagramin e biznesit të saj, duke reklamuar veshje

Shkak i dhunës barbare që motrat Antonela dhe Mariela Berisha ushtruan mbi Prengën, mendohet se është bërë dyshimi i Marielës se Klea kishte lidhje me bashkëshortin e saj prej të paktën një viti.

Prenga ka qenë duke darkuar në një restorant në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë kur dy motrat janë afruar dhe kanë nisur ta godasin me sende të forta në fytyrë, duke i shkaktuar dëmtime të shumta.

Policia ka kryer disa kontrolle në kërkim të të dyjave, por deri tani nuk janë gjetur. Ato akuzohen për plagosje të rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim dhe rrezikojnë burg deri në 10 vjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë