Futboll

Starti i Superiores, dy ndeshje luhen sot. Kampionët zbresin në fushë për të mbrojtur fronin

Ndeshjet e edicionit të 86-të të Kategorisë Superiore startojnë sot me dy përballje shumë interesante,  që mund të tregojnë menjëherë forcën që kanë skuadrat në këtë pikë të sezonit. Të dy ndeshjet luhen paralelisht në orën 20:00 dhe mund të ndiqen në kanalet e RTSH që ka siguruar të drejtat e transmetimit të kampionatit.

Në “Elbasan Arena”, Dinamo pret Egnatian kampione në fuqi, në një përballje mes ekipesh të cilat këtë vit pritet të rivalizojnë të dyja për titull. Rrogozhinasit kanë bërë disa lëvizje në radhët e tyre pasi janë larguar emra të rëndësishëm dhe u duhet pak kohë derisa të futen në shina të rinjtë. Edhe Dinamo ka bërë disa lëvizje, duke afruar emra të rëndësishëm në radhët e skuadrës së drejtuar nga Dritan Mehmeti dhe pritet me shumë kureshtje të shihet se si do të përballet me një ekip si ai i Egnatias.

Sfida tjetër e sotme luhet në “Niko Dovana” të Durrësit, ku Teuta vendase pret Bylisin. Durrsakët kërkojnë ta nisin me fitore si për të treguar se nuk duan të përjetojnë një tjetër sezon si i kaluari, ku ishin në pjesën më të madhe të kohës në luftën për mbijetesë. Edhe Bylisi kërkon t’i shmanget fundit në këtë sezon të kthimit në elitë, ndaj përballja pritet të jetë shumë e luftuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë