Gazeta Si - GJKKO ka caktuar masën e sigurisë "arrest me burg" për shefin e Antidrogës së Durrësit, Gazmir Preçi, i arrestuar mbrëmjen e 15 gushtit, pasi akuzohet për "Shpërdorim detyre" dhe "Korrupsion pasiv”, si pjesë e një skeme gjobëvënieje ndaj pronarit të një klubi nate te Ura e Dajlanit.
Para se të jepej masa e sigurisë “arrest me burg”, Preçi ka kërkuar lehtësi nga gjykata, pasi sipas tij ishte baba i tre fëmijëve dhe se nuk e dinte që në zarf kishte para.
“Kam shkuar vetëm se më ka kërkuar pronari i biznesit. Nuk e dija se kishte lek brenda zarfit dhe në momentin e arrestimit kam kërkuar që pakoja të hapet në praninë e avokatit, gjë e cila nuk më është mundësuar”, tha Preçi para togave të zeza.
Po ashtu, Preçi pretendon se kishte dyshime se biznesmeni bënte shitje të lëndëve narkotike dhe për këtë arsye e ka pasur nën vëzhgim.
Sipas dosjes së SPAK, Gazmir Preçi, me gadën kryekomisar, i ka kërkuar 20 mijë euro pronarit të një lokali në Durrës, me kërcënimin se në të kundërt do i bllokonte biznesin.
Sipas hetimeve, ka arritur të marrë 10 mijë euro në fazën e parë, shumë e cila është sekuestruar bashkë me 2 celularë, nga të cilët pritet të identifikohen punonjësve të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë ngjarje dhe biznese të tjera që në të kaluarën mund të kenë qenë viktimë e presionit të shefit të antidrogës.
Ndërkohë në vitin, 2021, në kohën kur ka qenë shef krimesh në Mallakastër, Preçi figuron të ketë qenë në hetim për lejimin e kultivimit të kanabisit në afërsi të Urës së lumit Vjosë, në Poçem të Mallakastrës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.