Gazeta Si – SPAK ka mbyllur hetimet ndaj Gazmir Preçirt, ish-shefit të Antidrogës në Durrës, i akuzuar për korrupsion pasiv, pasi dyshohet se i ka marrë 10,000 euro në formë gjobe shtetasit B.T., në këmbim të mosushtrimit të kontrolleve në një lokal me “muzikë live”.
Preçi është arrestuar mbrëmjen e 15 gushtit 2024, pasi akuzohet për veprën penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Ish-oficeri i policisë, duke shfrytëzuar funksionin, i ka kërkuar 20 mijë euro dhe marrë shumën prej 10 mijë euro në fazën e parë, nëpërmjet shantazhit për bllokimin e aktivitetit në biznes pronarit të lokalit në qytetin e Durrësit.
Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale vlera monetare prej 10 mijë euro, dokumenta që lidhen me ngjarjen dhe dy aparate telefonikë celularë.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas përfundimit të hetimeve paraprake për procedimin penal nr.170 të vitit 2024, ka paraqitur më 03.02.2025 në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për dërgimin në gjyq në ngarkim të të pandehurit: Gazmir Preçi, punonjës i policisë së shtetit, ish shef i Sektorit të Narkotikëve në DVP Durrës, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, – njofton SPAK.
Në përfundimin e hetimeve, vijon SPAK, “ka rezultuar se i pandehuri Gazmir Preçi i ka kërkuar dhe marrë një shumë monetare në vlerën 10,000 (dhjete mijë) euro shtetasit B.T, në këmbim të mosushtrimit të kontrolleve në lokalin e poseduar prej tij, ku ushtrohej aktiviteti “muzikë live” dhe ishin punësuar shtetas shqiptarë e të huaj”.
Preçi i ka mohuar akuzat dhe ka pretenduar se kishte dalë për ta takuar vetëm pasi e kishte kërkuar bizmesmeni, por tha se nuk kishte dijeni që në zarf kishte para.
Po ashtu, në momentin e arrestimit, ai ka kërkuar që zarfi të hapej në prani të avokatit.
Polici u kallëzua në Agjensinë e Mbikqyrjes Policore nga një biznesmen, i cili drejton një klub tek Ura e Dajlanit.
Sipas dëshmisë së tij, Preçi i kishte kërkuar një shumë prej 20 mijë eurosh pë të mos i mbyllur biznesin, pasi i kishte gjetur shkelje.
I gjithë momenti i takimit është i regjisturar me kamera, po ashtu edhe paratë i janë dhënë nga institucionet ligjzbatuese me numra serie.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.