Futboll

Kategoria Superiore, këtë vit kushton 12 milionë euro më pak. Cila është vlera për çdo skuadër!

Gazeta Si – Këtë fundjavë fillon edicioni i ri i Kategorisë Superiore, ku sërish 10 skuadrat do të ndeshjen në katër faza, për të përfunduar dhe ndarë çdo gjë sa i përket titullit kampion dhe pjesëmarrjes në Kupat e Europës, nëpërmjet skemës së “Final Four”.

Një formë që u testua në edicionin e shkuar dhe sipas drejtuesëve të Federates dhe klubeve pati një nisje të suksesshme. Megjithatë ajo që ra në sy ishte fakti që ashtu edhe si u parashikua deri diku nga drejtuesit e klubeve të mëdha, ose më saktë ajo që ata i trembeshin, kjo skemë ishte një bonus për klubet e ashtuquajtura të vogla.

Në të vërtetë fituesi i edicionit të shkuar në finale e madhe mes Egnatias dhe Partizanit doli skuadra nga Rrogozhina për herë të parë në histori, duke mundur të kuqt si një prej skuadrave të mëdha të futbollit tonë.

Megjithatë krahasuar me një vit më parë, ku klubet në një farë mënyre u kapën të papërgatitura për ndryshimin e skemës, në këtë edicion duket se ka ndryshuar diçka, dhe gjithçka fillon që nga vlera e skuadrave e cila krahasuar me një vit më parë, në totalin e tyre janë disi më poshtë.

Nëse do ti krahasojmë edicionet, mund të vëm re një rënie të vlerave të skuadrave me rreth 12 milion euro. Kështu në këtë edicion nëse do të merret shuma në total e 10 ekipeve, vlera e kampionatit tonë apo e Kategorisë Superiore, arrin shifrën e 39.34 milion eurove, ndërkohë që në vitin e shkuar kjo vlerë ishte rreth 52 milion euro.

Skuadra më e shtrenjtë apo me vlerën më të madhe të lojtarëve është ekipi i Partizanit i cili ka qenë në krye të këtij klasifikimi edhe në edicionin e kaluar me një vlerë prej 8 milion eurosh, ndërkohë në këtë edicion klubi i kuq kryeqytetas kap një vlerë prej 6.50 milion eurove.

Menjëherë pas tyre gjenden rivalët e përjetshëm të Tiranës të cilët kanë një vlerë prej 4.73 milon eurosh, ndjeshëm më e ulët se në edicionin e shkuar, vlera e lojtarëve të vitit që kaloi arrinte shifrën e 5.45 milion euro. Në këtë sezon vlera e lojtarëve të bardhebluve shkon në 4.75 milion euro.

Në vendin e tretë për nga vlera e skuadrës gjendet skuadra shkodrane e Vllaznisë me rreth 4.27 milion eurosh vlerësim të lojtarëve që ka, e ndjekur menjëherë nga skuadra kampione në fuqi e Egnatias e cila pavarësisht shitjes së disa lojtarëve me vlera të larta, arrin shifrën e 4.02 milion eurove.

Vlen të kujtohet se në edicionin e shkuar skuadra nga Rrogozhina gjendej në vendin e dytë në këtë klasikim me një vlerë ekipi prej 6.76 milion eurosh.

Pas tyre në mesin e klasifikimit të vlerës së skuadrës, ndodhet ekipi i Teutës i ndjekur më pas nga Laçi dhe skuadra e Dinamos.

Pas bujës së një viti më parë, kur nuk arriti të marrë asgjë edhe pse me shumë shpenzime, për të mos thenë që rrezikoi rënien nga kategoria, skuadra blu e kryeqytetit ka ulur ndjeshëm shpenzimet duke ndjekur një tjetër strategji.

Vitin e shkuar vlera e Dinamos shkonte në 5.1 milion euro, ndërkohë që në këtë edicion skuadra e tyre kap vlerën e 3.58 milion eurosh, duke u renditur kështu në vendin e shtatë.

Pas Dinamo Cityt gjendet ekipi i të rinjëve, apo ekipi me lojtarët më të rinj në Kategorinë Superiore, Skëndërbeu.

Korçarët kanë një vlerë prej 3.55 milion eurosh dhe poshtë tyre gjenden dy skuadrat e sapongjitura në këtë kategori si Elbasani dhe Bylisi respektivisht me 3.04 milion euro dhe 2.03 skuadra ballshiote, e cila kryesisht njihet si një skuadër që promovon talente dhe luan me lojtarë relativisht të lirë apo pa shumë emër, duke formuar gjithmonë e ekip që forcën e ka në lojën në grup se sa tek individët.

Ndërkohë në prag të këtij sezoni të ri bie në sy edhe një rënie e numrit total të lojtarëve dhe mosha e ulët e tyre që kanë disa skuadra. Ekipi më i ri i Superiores është Skëndërbeu, i cili ka një moshë mesatare prej rreth 22.7 vjeç, ndërkohë që në edicionin e kaluar po me një skuadër të tillë ata u renditën në vendin e katërt, brenda “Final Four”, por për shkak të dënimit që kanë nga UEFA në vend të tyre në Europë shkoi vendi i pestë që ishte Tirana.

Pas tyre renditet Bylisi me moshën mesatare 22.8 e kështu me rradhë, ndërkohë që skuadra me moshën më të madhe në këtë edicion është ekipi i Elbasanit i rifutur në elitën e futbollit shqiptarë pas shumë vitesh dhe me sa duket ka tentuar të marrë disa lojtarë me eksperiencë.

Mosha mesatare e klubit elbasanas është 25.7 vjeç, një shifër apo moshë që gjithësesi tregon për një kampionat relativisht të ri në moshën e lojtarëve.

Sa i përket të huajve në këtë edicion, skuadra që ka më shumë, është ekipi i Partizanit me 12 lojtarë të huaj nga 30 që ka federuar për këtë edicion.

Me këtë shifër lojtarësh të kuqt e kryeqytetit janë ekipi i dytë me më shumë lojtarë sëbashku me Vllazninë pasi të dyja këto skuadra kanë nga 30 futbollistë.

Ndërkohë në klasifikimin e të huajëve në vendin e dytë janë dy skuadra, Egnatia dhe e Bylisi me nga 11 lojtarë të huaj në ekip. Ballshiotët kanë vetëm 28 lojtarë ndërkohë që rrogozhinasit kanë 25 lojtarë për momentin, por që pritet të plotësohen deri në fund të merkatos.

Krejt e kundërta e tyre është skuadra e Teutës e cila ka numrin më të vogël të të huajëve në ekip. Durrsakët kanë vetëm tre lojtarë të huaj nga 31 lojtarë në tërësi në ekip, duke qenë kështu skuadra me më shumë lojtarë në këtë edicion 2024/2025 të Kategorisë Superiore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë