Nga Gazeta ‘Si’- Mediat ndërkombëtare raportojnë se Ukraina ka ndërmarrë ditën e sotme një nga sulmet më të mëdha me dronë brenda territorit të Rusisë, të cilat kanë pasur si objektiv 4 aeroportë ushtarakë, të cilët morën dëmtime të mëdha.
Sipas Reuters, synimi i Ukrainës me këtë sulm ishte të minonte kapacitetet e Rusisë për të përdorur avionët luftarakë për të bombarduar qytetet ukrainase.
Ndërkohë që Moska ka vendosur të ngrejë në fluturim avionët bombardues strategjikë Tu-95MC, të cilët fluturuan mbi ujërat ndërkombëtare të Detit Barenc dhe atij të Norvegjisë.
Ministria ruse e Mbrojtjes informon se ky fluturim i avionëve strategjikë zgjati 4 orë dhe ata u furnizuan në ajër nga avionët më të vegjël MiG-31. Gjithashtu raportohet se udhëtimi i dy avionëve rusë u shoqërua gjatë gjithë kohës nga larg prej avionëve të aleatëve të NATO.
Teksa trupat ukrainase vijojnë ofensivën këtë herë brenda territorit rus, Kremlini zyrtar nuk hezitoi të akuzonte perëndimin se i ka dhënë leje këtyre inkursioneve banditeske brenda kufirit të Rusisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.