Paris 2024

Valiev dhe Dudaev: Shqipërinë e kemi në zemër, synojmë medalje ari

Delegacioni olimpik shqiptar u kthye sot në Tiranë nga Lojërat Olimpike, “Paris 2024″, ku u prit me ceremoni në Rinas.

Presidenti i Federatës së Mundjes, ish-mundësi Sahit Prizreni u shpreh se, “ky është një gëzim i madh, fakti që është historike, këtë moment e bën fantastike.

“Jam shumë krenar, kjo është një ëndërr që kam dashur ta realizoj. Jam shumë krenar për djemtë. Përulje dhe mirënjohje për këdo që nderon flamurin kombëtar”, tha ai.

“Uroj që mos jetë hera e fundit që ne mblidhemi. Është punë e një ekipi të bashkuar dhe mendoj se sot duhet të gëzojmë”, tha Sahit Prizreni.

Ndërkohë që dy sportistët, Valiev dhe Dudaev thanë se vitet e ardhshme synojnë t’i sjellin Shqipërisë medalje të arta.

“Faleminderit Shqipërisë, e kam në zemër”, tha Valiev, që shtoi entuziazmin te tifozët.

Ndërsa Islam Dudaev synon medaljen e artë në Lojërat e ardhshme Olimpike.

“Jam shumë i lumtur, do Zoti në herën tjetër medalje të artë për Shqipërinë”, tha Dudaev.

Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli e cilësoi ditën e sotme si një ditë e madhe për sportin shqiptar.

Ylli përshëndeti të gjithë punë e bërë dhe sportistët që morën pjesë në lojërat Olimpike në Paris.

Nga Rinasi ku u zhvillua ceremonia e pritjes së delegacionit olimpik shqiptar, Ylli tha se këta sportistë janë e ardhmja e sportit.

“Sot është një ditë e rëndësishme për sportin shqiptar pasi Shqipëria ka hyrë në listën e shteteve të komiteteve olimpike që kanë marrë medalje dhe kjo falë dy mundësve tanë të jashtëzakonshëm Islam Dudaev dhe Chermen Valiev, që na bënë krenar dhe ngritën flamurin shqiptar në arenën në Paris. Bënë që një flamur të shkonte në majat më të larta të aktiviteteve sportiv atë të lojërave olimpike. Falënderoj të gjithë për punën e përbashkët të jashtëzakonshme. Këto sportistë janë gur themeli për të ardhmen e sportit dhe për të dhënë mesazhin qeverisë se për sportin duhet bërë më shumë”, tha Ylli.

Pas fitores historike në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, mundësit shqiptar Islam Dudaev dhe Chermen Valiev ngritën dy herë flamurin shqiptar duke u dhuruar dy medaljet e bronzta në kategorinë 65 dhe 74 kg në disiplinën e mundjes stil i lirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë