Gazeta Si - Pas dyshimeve se vdekja e 42-vjeçarit Egli Proga pas një sulmi të dhunshëm fizik nga tre persona të tjerë, është tentuar të fshihet, kryepolici Muhamet Rrumbullaku ka urdhëruar nisjen e inspektimeve dhe procedurave të kryera nga Policia e Pogradecit, në qarkun e Korçës.
“Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit do të vlerësojë të gjithë tërësinë e veprimeve dhe reagimit të punonjësve të policisë, prej momentit të parë të marrjes së njoftimit mbi ngjarjen, duke synuar nxjerrjen e përgjegjësisë dhe personave përgjegjës, nëse rezultojnë të tillë”, njofton policia.
Shkak u bënë lajmet dhe dyshimet e familjarëve se policia kishte fshehur krimin e vrasjes dhe mbrojtur autorin e sulmit fatal, i cili është arrestuar së bashku me tre persona të tjerë.
Më herët policia vendore e kishte mohuar përfshirjen e efektivëve në fshehje të provave, duke specifikuar se menjëherë pas ngjarjes identifikuan dhe ndaluan 29-vjeçarin Denis Meçi, si të dyshuar.
Po sot, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, urdhëroi inspektim në Drejtorinë Vendore të Policisë, Korçë, lidhur me ngjarjen në qytetin e Pogradecit.
Të shtunën u raportua se 42-vjeçari kishte ndërruar jetë aksidentalisht në lagjen nr.1 në Pogradec.
Mirëpo, hetimet e komisariatit të policisë kanë zbuluar se ai ka ndërruar jetë pasi është dhunuar fizikisht nga 29-vjeçari Denis Meçe pas një konflikti për motive të dobëta.
Autori pasi e ka goditur disa herë viktimën është larguar nga vendngjarja për t’u arrestuar pak orë më vonë nga policia.
Në momentin që ka ndodhur ngjarja kanë qenë prezent dhe persona të tjerë në lokal, të cilët nuk kanë kallëzuar në polici lidhur me krimin e regjistruar.
Tre prej tyre janë vënë në pranga nga uniformat blu për “Moskallzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Vrasja në Pogradec, PD: Të shkarkohet dhe të ndiqet penalisht shefi i komisariatit
Dega e Partisë Demokratike të Pogradecit ka reaguar për ngjarjen ku mbeti i vrarë 42-vjeçari Egli Proga, pas dhunës nga 29-vjeçari Denis Meçe. Kreu i degës së PD-së së qytetit liqenor, Gentian Çela, ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të shefit të komisariatit, pasi sipas tij “tentoi të mbulojë krimin për qëllime politike”, si edhe ndjekjen penale të tij.
"I ndjeri Egli Proga ndërroi jetë pas dhunës barbare të shkaktuar nga Denis Meçe, familjar i një drejtuesi të Partisë Socialiste, i njohur për bëmat në korrupsion dhe përfitues tenderash në Bashkinë e Pogradecit.
Deklarata e parë e dalë nga Komisariati i Policisë në Pogradec, fshihte vrasjen e ndodhur në zonën më të populluar të qytetit duke e raportuar si vdekje natyrale.
Falë reagimit, presionit qytetar dhe dëshmitarëve okularë, ngjarja u raportua dhe autori u ndalua.
Partia Demokratike, se pari i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes se të vrarit.
Në emër të qytetarëve të Pogradecit ne kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të drejtuesit të komisariatit Elton Halili, ndjekjen penale të tij për fshehje të krimit. Institucioni i cili duhet të parandalojë dhe zbulojë veprat penale, nuk mund t’i mbulojë ato për qëllime politike", tha Meçe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.