Mundësi Islam Dudaev i ka dhuruar një tjetër medalje historike vendit në Lojërat Olimpike të Parisit, duke mundur numrin një të botës në peshën 65 kg, Iszmail Muszukajev.
Sportisti e kontrolloi prej fillimit ndeshjen, duke garantuar katër pikë me një hedhje të realizuar thjesht, si dhe dy pikë të tjera duke e shtrirë në kurriz sfiduesin e tij.
Hungarezi Muszukajev përfitoi nga gabimet duke e ngushtuar rezultatin në 8–6 pas raundit të parë.
Më herët, mundësi amerikan Retherford u tërhoq nga gara pasi nuk arriti peshën ideale për t'u përballur me Dudaevin. Kjo i dha mundësinë mundësit shqiptar të kualifikohet automatikisht në finalen për medaljen e bronztë.
Të shtunën ishte mundësi tjetër Chermen Valiev, që shkroi historinë në Paris 2024.
Ai i dhuroi Shqipërisë medaljen e parë në historinë e Lojërave Olimpike. Ai mposhti me rezultatin 6–2 në finalen për medaljen e bronztë Viktor Rassadin nga Taxhikistani në stilin e lirë në mundje në peshën deri në 74 kg.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni, deklaroi se pritshmëritë ishin që Zelimkan Abakarov (o. Zelimkhan), Islam Dudaev dhe Çermen Valiev (o. Chermen) të merrnin secili nga një medalje. Në fund, ata që triumfuan janë Dudaevi dhe Valievi.
"Jam jashtëzakonisht i lumtur. E nisëm jo në mënyrën e duhur me Zelimkanin; patëm një sfidë, një padrejtësi me Çermenin [Chermen Valiev] para dy ditësh, por sot po festojmë me dy medalje. Dua t'i përgëzoj djemtë, sepse e di sakrificën që kanë bërë për të ardhur këtu.
Pritshmëritë nuk i kemi tejkaluar. Të tri djemtë janë medalistë. Unë prisja medalje nga të tre. Zelimi nuk është me të dy, por ai është kampioni ynë, sepse na ka bërë të ëndërrojmë me titullin botëror, me medaljet pa fund. Misioni është kryer. Shqipëria duhej të kthehej me medalje dhe sot mbarë komuniteti ynë sportiv, por edhe jashtë tij, duhet të gëzojmë," deklaroi z. Prizreni.
Ish-mundësi shqiptar që ka qenë edhe vetë sportist në stilin e lirë për peshën 62 kg, duke u renditur dikur edhe i treti në botë, tregoi vështirësitë që iu desh të kalojë Federata për të bindur tre mundësit shqiptarë, me origjinë ruse, për t'iu bashkuar ekipit kuqezi.
"E nisëm me Zelimin dhe Islamin. Ka qenë ish-presidenti Meta që na e ka mundësuar këtë pjesë, me ndihmën e presidentit të Komitetit Olimpik dhe të kryetarit të Bashkisë. Rasti i Çermenit është pak ndryshe dhe sinqerisht e ndiej obligim ta falënderoj z. [Fidel] Ylli, që arriti të marrë nënshtetësinë e tij në kohë rekord. Merita është e gjitha e Federatës së Mundjes.
Para se të vinin në Shqipëri, unë djemtë i kam parë, i kam studiuar, potencialin e tyre. I kam besuar, por ajo çfarë ka rëndësi është që djemtë e kanë besuar dhe kanë dëshmuar në të gjitha aspektet dedikimin, vendosmërinë dhe pasionin.
Unë kam marr përgjegjësinë që i gjithë buxheti i Federatës të ishte në dispozicion të djemve, sallat përgatitore, medikamentet, të gjitha kushtet e nevojshme që ata të vijnë te ky rezultat. Ministria po ashtu ka një rol të rëndësishëm. Ministria, Bashkia, kryeministri nga sot duhet ta shohin ndryshe mundjen," u shpreh Prizreni.
Fitorja e dy medaljeve olimpike të bronzta konsiderohet një ëndërr nga ai, nga ato që "kishim frikë ta besonim". Por Federata këtë vit ka të tjera sfida që e presin.
"Në muajin tetor Tirana do të jetë vendi organizator i Kampionatit Botëror për moshat U23, vend organizator për Kongresin e Federatës Botërore, që është një mundësi e jashtëzakonshme për vendin tonë. Si asnjëherë më parë, Shqipëria këtë vit do të organizojë edhe Kampionatin Botëror për të Rritur, ku marrin pjesë katër kategori, të cilat nuk garojnë në olimpiadë. Më mirë dhe më shumë se kaq mundja e sporti shqiptar nuk mund të bënin," tha Prizreni.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.