Ka ndodhur

Dhunohet për vdekje një 42-vjeçar në Pogradec, arrestohet autori dhe tre persona të tjerë

Gazeta Si - Një 42-vjeçar, Egli Proga, u raportua se humbi jetën një ditë më parë, pasi ishte rrëzuar në rrugë në gjendje të dehur në Pogradec.

Por ajo që u dyshuar si një vdekje aksidentale, rezultoi të ishte një vrasje jashtë ambienteve të një lokali, që sipas policisë ka ndodhur për motive të dobëta.

Burime nga policia bënë me dije se viktima është goditur nga një person i identifikuar tashmë si Denis Meçe, i cili e ka dhunuar dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Megjithatë, ai u vu më vonë në pranga, bashkë me tre persona të tjerë që nuk kanë kallëzuar krimin.

Viktima ndërroi jetë pasi u transportua në spitalin e Pogradecit, për shkak të hemorragjisë që pësoi nga dhuna e ushtruar.

Mësohet se dy personat janë konfliktuar në afërsi të një lokali. Proga, pasi është goditur nga Meçe, ka hyrë brenda lokalit dhe ka qëndruar vetëm 2 minuta. Më pas ka dalë duke u rrëzuar në tokë për shkak të dhunës së shkaktuar.

Ngjarja që deri ditën e djeshme u dyshua si aksidentale, rezultoi në një vrasje. Policia ka mbledhur të gjitha kamerat e sigurisë në zonë për të parë edhe momentet e konfliktit.

Edhe pse u transportua në spital, Proga nuk ka mundur t’iu mbijetojë plagëve dhe humbi jetën mbrëmjen e 10 gushtit.

Pas sherrit, i riu është larguar nga vendi i ngjarjes dhe u arrestua këtë të diel bashkë me 3 persona të tjerë që kanë penguar zbulimin e krimit.

Policia e Korçës njofton se në pranga kanë rënë Voltan Shulku, 40 vjeç, Arian Manellari, 55 vjeç, dhe Leonidha Guçe, 47 vjeç.

Ndaj tyre rëndojnë veprat penale "Moskallzim krimi", dhe "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi ata kanë qenë të pranishëm kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë kallëzuar krimin duke penguar zbardhjen e së vërtetës. Ndërkohë, ndaj të riut Denis Meçi rëndon akuza për veprën penale “Vrasja me dashje”.

“Shtetasi Denis Meçe, 29 vjeç, pas konflikt është larguar nga vendi I ngjarjes por falë reagimit në kohë të Policisë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij për veprën penale “Vrasja me dashje”. Në vijim të veprimeve për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje, shërbimet e Seksioni për Krimet Kundër Personit në DVP Korçë në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasit: Voltan Shulku, 40 vjeç, Arian Manellari, 55 vjeç, dhe Leonidha Guçe, 47 vjeç, për veprat penale “Moskallzim krimi”, dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Këta shtetas kanë qenë të pranishëm kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë kallzuar krimin duke penguar zbardhjen e së vërtetës”, njoftoi policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë