Lajme

“Unaza e Re”, Basha flet për arrestime: Të hetohet Gjiknuri

Në protestën e radhës të banorëve të “Astirit”, kryetari i PD, Lulzim Basha deklaroi sot në mbrëmje se korrupsioni me tenderin e këtij projekti duhet të marrë një përgjigje të fortë ligjore.

Basha nënvizoi se Prokuroria po vonon hetimet dhe nuk po nxjerr përgjegjësit para ligjit. Sipas tij, sot në burg nuk duhet të ishin protestuesit e Unazës së Re, por Ministri i Infrastrukturës dhe Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar.

“Në qelitë ku janë sot protestuesit, duhet të jetë Gjiknuri dhe Afrim Qendro. Me që media nuk e pyet Gjiknurin, po e pyes unë, çfarë bëje ti në Amerikë në të njëjtën ditë kur u themelua kompania mashtruese që po ndërton të Unaza?”,- tha Basha.

Basha i bëri thirrje Prokurorisë që të shpejtojë me hetimet, siç janë hapur nga ana tjetër për firmën fantazmë në SHBA. “Nuk duhet të lini Prokuroren e Përgjithshme dhe vartësit pa një përgjigje, – tha Basha. – Pse nuk nis hetimi për njerëzit që kanë ideuar këtë skemë korruptive, Rama i ka bërë pazaret kokë më kokë. Kush i porosit institucionet të prishë banesat? E pyetët Gjiknurin se ç’bënte më 25 qershor në Amerikë me të njëjtën ditë kur u regjistrua kjo firmë fantazmë. Prapa kësaj afere qëndron vetëm Edi Rama. PPP-të e koncesionet janë pjesë e një skeme vjedhjeje. Çdo projekt që ka ndërtuar Rama është një grabitje”, – shtoi mes të tjerash Basha.

Basha shprehu mbështetjen e studentëve protestues, por tha se Rama dhe Lindita Nikolla po mundohen që t’i përçajnë studentët.

Basha hodhi poshtë zërat që thonë se PD hyri në protestë, por tha se mbështet protestën dhe aspiratat e studentëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë