Lajme

Arrestohet polici i armatosur grek. Nëna e Kacifasit: Do vras Ramën!

Autoriteteve shqiptare u ka shpëtuar një efektiv policie nga Greqia që ka hyrë në Shqipëri me armë. Policia njofton se “shtetasi Marios Gogolos, 35 vjeç, me detyrë punonjës policie në Igumenicë, u arrestua rreth orës 09:45, në aksin rrugor “Sarandë-Gjirokastër”, në vendin e quajtur “Ura e Kranesë”, ndërsa ai ishte duke udhëtuar në drejtim të fshatit Bularat, Gjirokastër”.

35-vjeçari është kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë me një armë zjarri pa leje, e tipit “pistoletë” me 6 fishekë.

Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës të Shkallës së Parë Sarandë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”,

Ndryshe nga ceremonia e varrimit, ku në të vërtetë nuk pati tension, sot ka qenë nëna e Kaçifasit ajo që ka “udhëhequr” grekët drejt meshës për të birin. Me flamur grek në dorë, Vasiliqi Kaçifas ka folur greqisht para kamerave duke i premtuar të birit se do t’ia merrte hakun duke vrarë kryeministrin shqiptar.

“Do të bëhem si Xhaveli. Do ta vras Edi Ramën. Më mori trimin tim. Pse ma vrau djalin? Nuk e dija që kisha lindur një trim të tillë. Ne duam drejtësi. Të çohem 10-15 si ti të pastrojnë vendin. Do të ta marr unë gjakun biri im”, është shprehur nëna e 35-vjeçarit. Thirrjet e saj janë mbështetur edhe nga të pranishmit, të cilët kanë brohoritur: “I pavdekshëm”.

Ndërkohë motra e minoritarit grek, Ermioni Kaçifas para mediave në qendër të Bularatit u shpreh se qeveria duhet të marrë përgjegjësi.

Ndërsa në Bularat, përkujtohej ekstremisti që i qëlloi policisë, në zëmër të Gjirokastrës u përkujtuan shqiptarët e vrarë në Greqi.

Dhjetëra persona, u bënë bashkë në Sheshin e Çerçizit, pranë konsullatës greke, ku ia morën edhe këngës e valles nën simbolet shqiptare dhe aleatëve historike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë