Rend dhe Ligj

Operacioni ‘Revanshi’/ Autoritetet në Dubai thonë se kanë ndaluar Marklen Hakën. Pritet konfirmimi me të dhënat biometrike

Një tjetër i shumë kërkuar në kuadër të operacionit “Revanshi” ka rënë në rrjetën e policisë në Dubai.

Autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe i kanë përcjell informacion policisë shqiptare se kanë ndaluar një person që dyshohet se është Marklen Haka, i njohur si anëtari i “Bandës së Niklës” .

Autoritetet e Dubait kanë kërkuar të dhëna biometrike nga policia shqiptare, të cilat tashmë janë dërguar dhe po bëhen krahasimet nëse personi që kanë ndaluar është Marklen Haka apo një person tjetër.

Marklen Haka është në kërkim për dosjen “Revanshi” nga SPAK dhe akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit, pjesëmarrje në grup kriminal dhe armëmbajtje pa leje.

Vetë 33-vjeçari Haka i ka shpëtuar 2 atentateve. Në vitin 2022 ai u qëllua me një plumb në nofull. Në 2019, i shpëtoi një atentati në derën e shtëpisë, por si pasojë e të shtënave humbi jetën halla e tij.

Po në vitin 2022 ai ishte ndaluar nga policia sepse u kap me pistoletë, por arresti zgjati shumë pak dhe u lirua nga gjykata.

I skeduar si pjesë e grupeve kriminale në Nikël, në 2011-ën u arrestua si i dyshuar edhe për një vrasje në ish-Bllok, por fitoi lirinë për mungesë të provave.

SPAK zbuloi aleancat e krimit, interesat e tyre dhe bashkimi i forcave për ekzekutimin e kundërshtarëve.

Një prej këtyre aleancave ishte edhe ajo me Ervis Martinajt dhe ish-deputetit Arben Ndoka për të kryer vrasjen e Durim Bamit, një eksponent i njohur në botën e krimit.

Ndoka donte ta vriste Bamin në shenjë hakmarrjeje pasi dyshonte se ishte një nga ekzekutorët e vëllait të tij në vitin 2017.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë