Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka kërkuar që politika të qëndrojnë larg protestës së studentëve. Gjithashtu Kryemadhi deklaroi se protesta e studentëve ishte dhe një mësim për vetë dhe kryedemokratin Lulzim Basha. “Lëvizja Studentore nuk është e asnjë partie politike, e asnjë organizate politike, ajo është e studentëve, prandaj duart larg si politika dhe NGO e subvencionuara dhe të paguara nga Edi Rama për t’i përçarë ata. Studentët tanë na dhanë një mësim ne si politikanë, mua të parën, jam e bindur edhe z.Basha edhe të gjithë kryetarëve të frontit opozitar për të na thënë që nuk kanë nevojë për të pritur kushtet për të ngritur zërin dhe për të protestuar, por duan besim, duan forcë, duan alternativë. Na dhanë një mësim shumë të mirë ne klasës politike për të kuptuar se kur je me të drejtën, kur lufton për qytetarët, kur lufton për banorët, kur lufton për të mbrojtur të dobëtit përballë të fortëve, kur lufton për të mbrojtur të varfrit përballë të pasurve, zoti është me ty”, tha kreu i LSI-së gjatë fjalës të mbajtur me me strukturat e Lëvizjes së Gruas për Integrim.
Më tej ajo kërkoi që strukturat e partisë ta përkrahin këtë protestë. “Pra, lëvizja studentore ishte një leksion demokracie, një leksion shprese që i dha opozitës, prandaj ju bëj thirrje të gjitha grave, ju që jeni sot, drejtuesve të shtabeve elektorale në të gjithë Shqipërinë, thirrje çdo nëne, çdo gruaje, çdo vajze të përkrahim studentët, të jemi me ta në çdo moment, pa asnjë lloj kompleksi se ata fëmijë që janë në rrugë që protestojnë për të shpëtuar paratë e prindërve të tyre të cilët rroptohen për t’i fituar. Ata studentë janë bijë nënash, fëmijë prindërish të cilët janë qytetarë të Shqipërisë dhe ne si opozitë e kemi për detyrë, jo vetëm t’i përkrahim por edhe t’i ndihmojmë, t’i ndihmojmë në infrastrukturë, t’i ndihmojmë në njerëz, t’i krijojmë hapësirat, por edhe t’i bëjmë liderët e ardhshëm të politikës shqiptare”, theksoi Kryemadhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




