15 tonë kafe kontrabandë e ndarë në 28 paleta me kafe, është sekuestruar nga policia e Tiranës. Në pranga ka rënë F. K, banues në Tiranë dhe janë shpallur në kërkim 5 të tjerë, bashkëpunëtorë në transportimin dhe magazinimin e pakove të kafes.
Sipas policisë sasia e kafesë u fut nga Qafë-Thanë me dokumente të falsifikuara, ndërsa kamioni nuk u zhdoganuar në Vorë por në banesën e të arrestuarit.
“Është finalizuar operacionin policor i koduar “Coffe seeds”. Gjatë operacionit u sekuestruan 28 paleta me kafe, me peshë rreth 15 tonë, të dyshuara të kontrabanduara. U arrestua një shtetas dhe u shpallën në kërkim 5 të tjerë, bashkëpunëtorë në transportimin dhe magazinimin e pakove të kafes”, thuhet në njoftimin e policisë.
Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare arrestuan shtetasin F. K., 33 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu po punohet për kapjen e shtetasve E. T., 30 vjeç, M. T., 33 vjeç, A. Ç., 33 vjeç, I. Ç., 35 vjeç, dhe A. S., 33 vjeç.
Këta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë paraqitur në doganën e Qafë Thanës, dokumentacion të falsifikuar të origjinës dhe porosisë së mallit që kanë transportuar, me qëllim shmangien e detyrimeve doganore, dhe kamionin që transportonte sasinë e kafes, nuk e kanë shkarkuar në doganën e Vorës, siç kanë deklaruar në pikën e parë kufitare.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A. S., në Thumanë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 28 paleta me kafe, me peshë rreth 15 tonë, të dyshuara të kontrabanduara. Materialet i kaluan Prokurorisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




