Politike

Qeveria: Shqipëria s’mund të prodhojë armë pa privatin, kosto fillestare 3 mln euro. Tabaku skeptike. Braçe: Kemi ngjarje të rënda mbi kurriz

Nga Gazeta ‘SI’ – Zëvendësministri i Mbrojtjes, Dorian Tola ka prezantuar përballë deputetëve tek Komisioni i Ekonomisë draftligjet e reja që synojnë zhvillimin e forcave të armatosura në vend.

Gjatë prezantimit të draftit për shoqërinë e prodhimit të armëve, Tola theksoi se “KAYO”, siç do të ketë emrin do të jetë 100% shtetërore, por do të bashkëveprojë me subjekte private.

“Nuk ka mundësi tjetër prodhimi përveçse me një partneritet privat. Shoqëria tregtare do të jetë 100% shtetërore, por shoqërisë i lejohet të bashkëveprojë me kompani të tjera. Ne nuk kemi mundësi për të financuar këtë kompani. Ka partnerë të interesuar për forma tregtare bashkëpunimi dhe ne do të ofrojmë lehtësira, kushte etj”, u shpreh Tola, duke shtuar se interesi për këtë industri është shumë e lartë.

Ai theksoi se kostot për ngritjen e infrastrukturës së shoqërisë së prodhimit të armëve do të shkojë 3 mln euro, ndërsa 3 mln euro të tjera do të shkojnë për detyrimet e prapambetura të ish-uzinave shtetërore të armëve, që tashmë do të kalojnë tek kompania e re.

Zv.ministri tha se “aseti” që ofron Shqipëria për kompanitë e interesuara, është vendi dhe pozicioni gjeografik i saj.

Drafti nuk hasi kundërshtime nga deputetët, por për demokraten Jorida Tabaku ishte shqetësim futja e subjekteve private në një industri si ajo e armëve.

“Po flasim për sigurinë kombëtare. Nëse shteti do të jetë krijuesi 100%, si do të jetë formula e hyrjes së aksionerëve të tjerë? 3 mln euro nuk është mjaftueshëm. Ne nuk jemi këtu për tigra prej letre. Duhet të jemi seriozë, nëse kjo ka lidhje me qëllimet e NATO-s. Unë jam kundër që ky ligj po hyn me votim të përshpejtuar”, u shpreh Tabaku.

Për deputetin socialist Erion Braçe, shqetësim është vendi se ku do të vendoset uzina e re e prodhimit, pasi Shqipëria “ka në kurriz ngjarje të rënda”.

Zv.ministri Tola tha se qeveria garanton standard të lartë të sigurisë dhe se do të operohet sipas rregullave të Aleancës.

“Ne kemi pasur sigurinë në mendje kur kemi menduar këtë ligj. Një pjesë e atyre që do vijnë nuk do të shkojnë në vendet e larta sepse do duan të jenë afër infrastrukturës së zhvilluar, afër pikave të transportit, porteve, hekurudhave apo të gjitha pikave që kanë mundësi të qarkullojnë më lehtësisht mallrat. Nga ana tjetër përsa i përket sigurisë, prioriteti ynë është që këto zona do të kenë garancinë e sigurisë duke u mbështetur në disa konsulta të vazhdueshme sipas rregullave strikte të NATO-s dhe në strategjinë e sigurisë kombëtare”, përfundoi Tola.

Komisioni i Ekonomisë “ok” dhe për projektligjet e strategjisë së mbrojtjes

Deputetët e komisionit të Ekonomisë i dhanë dritën jeshile dhe dy draftligjeve të qeverisë për strategjinë ushtarake dhe atë të mbrojtjes.

Shkurt, zv.ministri Tola tha se Shqipëria ka një plan 10 vjeçar për fuqizimin e forcave ushtarake në vend dhe se tashmë është arritur objektivi 2% i shpenzimeve për mbrojtjen, siç e kërkon NATO.

Përfaqësuesi i qeverisë theksoi se Shqipëria e ka “detyrim” modernizimin ushtarak, pasi ka shpallur zotimin për të qenë pjesë e Korridorit 8, korridori i sigurisë së NATO-s.

Prezantimi vijoi tek komisioni i Ligjeve, ku nënkryetarja dhe deputetja e PD-së, Dhurata Çupi shprehu se ligji i prodhimit të armëve është klientelist dhe se nuk ka asnjë studim për përfitimet e shtetit.

“Ligji për krijimin e një shoqërie shtetërore për prodhimin e armëve së pari shqyrtohet pa respektuar procedurën dhe afatet e rregullores së Kuvendit. Rregullorja përcakton afatin e shqyrtimit pasi të kenë kaluar 2 javë nga depozitimi.

Së dyti kjo shoqëri do te bazohet në një projektligj që ende nuk është miratuar në Kuvend. Një turp! E treta një shoqëri që krijohet pa përcaktuar sa përqindje do të këtë partneri jo publik në këtë shoqëri. Perse ju duhen 6.5 milion euro për krijimin e kësaj shoqërie? Pse nuk keni përcaktuar sa janë vlerësuar pronat e ushtrisë që do t’i përdorni për këtë shoqëri?

Ky ligj është klientelist, i porositur, dhe akti i radhës i kësaj mazhorance për të krijuar një skemë vjedhje. Ju po vidhni leket e shqiptareve për ti përdorur për partinë shtet nesër në zgjedhje”, tha nënkryetarja Çupi gjatë komisionit të Ligeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë