Rend dhe Ligj

‘Jam Pjerin Ndreu’/ Hiqeshin si kryetari i bashkisë Lezhë dhe i morën një biznesmeni 15 mijë euro duke i shkruar në ‘Signal’ 2 në pranga, 1 në kërkim. Ndreu: Nuk i njoh autorët

Nga Gazeta Si – Mashtruan nje biznesmen, nëpërmjet një aplikacioni, duke komunikuar me te, në emër të kryetarit te bashkise Lezhe, vihen në pranga 2 shtetas ndërsa po punohet për kapjen e bashkëpunëtorit të tyre.

Autorët përdorën emrin e kryetarit të Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, duke i marrë një shumë të konsiderueshme parash (15 mijë euro) nje biznesmeni te njohur, president i nje klubi sportiv

Po të njëjtin biznesmen, autoret ne fjale kanë tentuar ta mashtrojnë edhe me datë 17 korrik, por duket se në rastin e dytë biznesmeni e ka kuptuar që ishte një kurth dhe është drejtuar me një denoncim në polici.

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas kallëzimit nga ky shtetas, se i kishin marrë një shumë parash me anë të mashtrimit nëpërmjet një aplikacioni, ka nisur hetimet me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e këtij rasti dhe për identifikimin e shtetasve të përfshirë.

“Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Imposter”, u ndaluan shtetasit:   

Sh. D., 35 vjeç dhe S. S., 37 vjeç, të dy banues në Shijak. 

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi Sh. K., 63 vjeç, banues në Itali.

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasit Sh. D. dhe S. S., në bashkëpunim me shtetasin Sh. K., më datë 14.07.2024, kanë përfituar 15 000 euro, nga administratori i një operatori ekonomik, duke komunikuar me të në aplikacionin “Signal”, në emër të përfaqësuesve të institucioneve vendore. Më datë 17.07.2024, ata kanë tentuar të përfitojnë një tjetër shumë të madhe parash, nga ky shtetas, me anë të së njëjtës skemë.

Në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Tiranë, vijojnë hetimet për zbardhjen e një rasti të ndodhur një Tiranë, ku këta shtetas kanë tentuar të përfitojnë 20 000 euro, nga një shtetas, me anë të kësaj skeme mashtrimi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprën penale “Mashtrimi” me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim”, thuhet ne njoftimin zyrtar.

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu ka reaguar pas lajmit.

Ai i bën thirrje personave të tjerë që mund të jenë mashtruar të denoncojnë në polici.

“Një mik, biznesmen nga Lezha, ka rënë pre e nje mashtrimi, ku disa shtetas, të panjohur për mua, kanë përdorur emrin tim për t’i marre para! Para ca ditesh ne e kapem situatën, denoncum, dhe u bë e mundur kapja e autorëve nga ana e Policise Lezhe! Nese ka persona te tjere qe kane rene pre e ketij mashtrimi, ju lutem te denonconi ne polici!”, shkruan Ndreu në Facebook.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë