Kosova

Serbia ekzekuton Faton Hajrizin, personin që vrau policin serb. Si e lokalizuan dhe rezistenca që bëri ndaj policisë (foto)

Nga Gazeta 'Si' - Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç, ka thënë të premten se është vrarë Faton Hajrizi që në orët e para të së enjtes vrau policin në Serbi.

Sipas informacioneve, Hajrizi ka tentuar të kalojë Drinën dhe të arratiset në Bosnje dhe Hercegovinë, por nuk ia ka dalë, prandaj është fshehur në një kompleks të braktisur fabrikash. Mediat serbe kanë publikuar foton e tij.

Sipas medias serbe Novosti ajo që çoi në lokalizimin e Faton Hajrizit duket se ka qenë një informacion i marrë nga banorë të zonës ku ai fshihej. Novosti shpjegon se Hajrizi nuk ka pranuar të dorëzohet tek Policia e Serbisë dhe ka qëlluar me breshëri plumbash ndaj policëve që e kishin rrethuar në zonën ku po qëndronte.

Mediat në Serbi theksojnë se të shtënat nga Hajrizi ishin aq të shumta sa policët serbë shpëtuan vetëm falë jelekëve antiplumbë dhe helmetave.

Hajrizi ishte arratisur nga burgu i Kosovës më 6 korrik. Ai njihej për arratisjet e tij të bujshme, gjithsej nëntë të tilla.

Autoritetet kryen kontrollet në dy anët e lumit Drina, që gjendet në kufi me Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës. Sipas ndihmësdrejtorit të policisë Dragan Vasileviç, edhe helikopterët dhe dronët u përfshinë në kërkim.

Sulmi ka ndodhur në orët e para të së enjtes kur policia e ka ndalur makinën në të cilën ka qenë i dyshuari, për një kontroll rutinor.

Vendi ku ndodhi vrasja, në kufi me Bosnje-Hercegovinën

Autoritetet serbe e kanë konsideruar sulmin si terrorist.

Policia bëri të ditur se në vendngjarje u gjet një pasaportë e lëshuar në Kosovë në emër të Artan Hajrizit (1991) dhe një letërnjoftim i tij gjerman.

Një ditë më parë, Daçiç tha se po verifikohej nëse personi të cilit i janë gjetur dokumentet është vëllai i Artan Hajrizit, Faton Hajrizi, i arratisur nga burgu në Kosovë, ditë më parë.

Artan Hajrizi deklaroi të enjten për mediat në Kosovë se ndodhej në Gjermani dhe se vëllai i tij, Fatoni, i kishte vjedhur pasaportën pas arratisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë