Bota

Bie rrjeti Microsoft, probleme në gjithë botën në banka, aeroporte dhe media

Gazeta Si - Të gjitha fluturimet e disa prej kompanive të mëdha ajrore amerikane si "Delta", "United" dhe "American Airlines", janë anuluar mëngjesin e së premtes për shkak të problemeve të rrjetit të komunikimit, kanë bërë të ditur autoritetet amerikane të Aviacionit.

Fluturimet e këtyre kompanive, pavarësisht destinacioneve, janë anuluar të gjitha. Është e paqartë sesa do të zgjasë ky problem që ka prekur me mijëra pasagjerë.

Ndërkohë, BBC raporton se përpos kompanive ajrore, probleme me rrjetet e komunikimit po raportojnë edhe një sërë bankash dhe kompanish mediatike nëpër botë.

Avionët janë ulur në pista në aeroportin e Sydney-t, ndërsa probleme ka raportuar edhe platforma e grupit të bursës së Londrës.

Sipas BBC, problemet më të mëdha janë evidentuar në Australi dhe në SHBA. Por dhe në Europë ka raportime për bllokime të punës, sidomos në linjat ajrore. Kjo për shkak të ndërprerjeve të internetit dhe komunikimit.

Fluturimet në aeroportin e Sidnei në Australi janë ndërprerë. Bursa e Londrës ka gjithashtu pezullime të punës.

Në Britaninë e Madhe, televizioni Sky News nuk është në transmetim për shkak të defekteve teknike. Drejtuesi i kompanisë ka thënë se televizioni nuk ka mundur të transmetojë LIVE mëngjesin e sotëm.

Probleme janë shfaqur edhe në linjat ajrore në Gjermani, Spanjë, SHBA etj, ku janë pezulluar fluturimet.

Sipas informacioneve, defektet teknike janë shfaqur në platformat e Microsoft. Kompania ka reaguar dhe thotë se është duke ndërmarrë veprime për të rregulluar defektin teknik që ka bllokuar shërbimet e ofruara prej saj. Problemi është identifikuar në shërbimet e aplikacioneve 365 të Microsoft, të bazuara në “Cloud”.

Si paraqitet aktualisht situata me fluturime në Europë

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës "Adem Jashari", sipas REL, nuk është raportuar për ndonjë vonesë (deri në publikimin e këtij shkrimi).

Aeroporti në Berlin ka paralajmëruar që vonesa në fluturime do të ketë gjithë ditën.

Zëdhënësi i Aeroportit të Cyrihut ka thënë se nuk ka probleme, por fluturimet për Berlin i ka anuluar për shkak të problemeve atje.

Kompania e fluturimeve Lufthansa ka thënë se operacionet e saj janë prekur pjesshëm, dhe që mund të ketë anulime apo vonesa në fluturime.

Air Franc ka raportuar, gjithashtu, që fluturimet e kompanisë janë prekur si pasojë e problemeve me kompani tjera në gjithë botën. Ngjashëm edhe linja holandeze KLM.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë