Gazeta Si- Pas rreth 1 viti nga atentati i dështuar ndaj Inzez Hajrullës dhe Ervis Matodashajt në Vlorë, arrestohet në Spanjë porositësi dhe organizatori i dyshuar.
Interpoli Tirana njofton se në pranga ka rënë 47-vjeçari Leonard Luzi nga Vlora, i cili akuzohet nga GjKKO se rreth 1 vit më parë në Vlorë, kishte organizuar vrasjen e 2 shtetasve, krim që u parandalua nga policia.
Autoritetet shqiptare pritet të nisin procedurat për ekstradimin e Veizit në Shqipëri, pasi SPAK e akuzon si porositësi i atentatit të planifikuar ndaj Hajrullës dhe Matodashajt në gusht 2023.
Për këtë ngjarje fillimisht u arrestua Amarildo Nikolli, i cili do kryente dhe ekzekutimin. Pas prangosjes, Nikolli bashkëpunoi me autoritetet duke përiftuar dhe statusin e të penduarit të drejtësisë.

Lajmin e arrestimit e paralajmëroi një ditë më parë, Alda Nikolli, një prej motrave, të cilave iu vendos tritol në derën e banesës në orët e para të mëngjesit të së dielës (14 Korrik), ku rrëfente lidhjet me vrasësin me pagesë, Nuredin Dumani.
Nikolli tha se Nuredin Dumani do t’i vinte gjobë edhe “Dakut”, Leonard Luzit, “por për fat të keq është kapur dje dhe nuk arriti dot t’ia vë. Kishte një kompjuter”.
Me pretendimin se Nuredinin Dumani vijon aktivitetin kriminal brenda qelisë, Nikolli tha se i penduari i drejtësisë vendos gjoba nga qelia. Sipas saj, Dumani “do t’i vendoste gjobë edhe Leonard Luzit”.
“Jo më larg se para ca ditësh i vuri gjobë Amarildo Nikollit 400 mijë euro, e ka detyruar të pranojë gjëra që si ka bërë me presion. Do t’i vinte gjobë dhe Dakut, Leonard Luzit. Ai kështu jeton duke u vënë gjoba njerëzve sepse nuk ka lekë”, shprehet ajo.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 05.02.2024, i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”. 47-vjeçari Leonard Luzi akuzohet se më datë 08.08.2023, në bashkëpunim me të tjerë, kishte organizuar vrasjen e shtetasve E. M. dhe I. H.,”, – thuhet në njoftim.
Ky krim u parandalua nga policia, pasi u arrestua shtetasi Armando Nikolli (Xhanej), i cili dyshohet se i paguar prej Leonard Luzit do të kryente vrasjet. Nikolit, në momentin e arrestimit, iu sekuestrua pistoleta me fishek në fole, e gatshme për qitje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



