Lajme

Ngritja e KED-it, SHBA-BE: Të zgjidhen shpejt anëtarët e KLGJ-KLP

Zgjedhja e 8 anëtarëve të KED pasditen e sotme, ka sjellë inkurajimin e ambasadës Amerikane në Tiranë dhe të ambasadorit të BE-së.

Javën e ardhshme presim përzgjedhjen e anëtarëve për KLP e KLGJ, ishte reagimi i ambasadës amerikane. Ndërsa ambasadori i BE në Tiranë u shpreh: “Ne presim me padurim javën e ardhshme kur Asambleja e Përgjithshme e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve do të takohet për të ngritur KLGJ-në dhe KLP-në”.

“Këtë vit, Ambasada e SHBA iu ka bërë thirrje gjyqtarëve dhe prokurorëve të ndershëm, patriotë dhe me integritet për t’i shërbyer vendit të tyre në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Me formimin e këtyre dy institucioneve të drejtësisë në horizont, Shqipëria është në prag të krijimit të një sistemi drejtësie që i shërben vërtet interesave të qytetarëve të saj. Javën e ardhshme presim me kënaqësi përzgjedhjen e anëtarëve, të gjithë të cilët kanë kaluar tashmë vetingun, duke shënuar kështu hapin tjetër madhor drejt drejtësisë së vërtetë”, – thuhet në reagimin e ambasadës.

Gjithashtu, edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca ka reaguar. “Sot, Kuvendi ka zgjedhur anëtarët e KED. Ky është një hap i rëndësishëm për zbatimin e reformës në drejtësi. Ne presim me padurim javën e ardhshme kur Asambleja e Përgjithshme e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve do të takohet për të ngritur KLGJ-në dhe KLP-në”.

Ditën e sotme, Kuvendi ka hedhur shortin për zgjedhjen e 9 anëtarëve në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Shorti u hodh pas refuzimit të Presidentit Ilir Meta për të mos vijuar me procesin për shkak të vakumit ligjor. Shorti ka nxjerrë 8 fitues duke lënë një vend vakant nga Prokuroria e Apelit, pasi kishte kandidat vetëm për një vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë