Ne rrjet

Dyshime dhe polemika për sigurinë e Trump, dëshmitari: Njoftova agjentët para sulmit, pse nuk e ndaluan?

Si mund të qëndronte Thomas Mattheë Crooks në një çati disa qindra metra larg tubimit të një ish-presidenti të Shteteve të Bashkuara, i pashqetësuar? Pse nuk u ndalua?

Gazeta Si - Si mundi Thomas Matthew Crooks, 20-vjeçari që bëri një tentativë për të vrarë Donald Trump, të pozicionohej i pashqetësuar në një çati disa qindra metra larg tubimit të ish-presidentit amerikan?

Pse nuk u ndal, pavarësisht se disa video e shfaqin qartë atë duke marrë në shenjë para se të gjuante? Këto janë disa nga pyetjet që autoritetet do të përpiqen t'i përgjigjen në orët e ardhshme – të parat pas sulmit ndaj kandidatit republikan në Shtëpinë e Bardhë. Katër fazat e një sulmi, një veprim me një objektiv primar në qendër: Donald Trump.

Faza e parë: para ngjarjes

Shërbimi Sekret ka detyrën e vështirë për të mbrojtur presidentin, Zonjën e Parë dhe disa personalitete, përfshirë edhe kandidatin sfidues.

Të gjithëve u është caktuar një emër i koduar: "Celtic" - në të kaluarën - për Biden, "Pioneer" për Kamala Harris dhe "Mogul", i rezervuar për Trump.

Nuk dihet nëse janë emrat aktualë. Mbrojtja fillon shumë përpara një ngjarjeje publike, si p.sh. një tubim apo takim me njerëz për fushatë elektorale.

Vlerësohen kërcënimet, studiohet prania e elementëve potencialisht të rrezikshëm në zonë – ndoshta zbulohet sepse kanë postuar apo thënë diçka – ka një analizë të thellë. Do të shohim në orët e ardhshme nëse qitësi kishte lëshuar ndonjë sinjal. Një hetim në të cilin hyri menjëherë FBI.

Faza e dytë: pse nuk u ndalua sulmuesi?

Në zonën e takimit, Shërbimi Sekret vendos gjithmonë ekipin e Counter Snipe Team (për t'iu përgjigjur një snajperi agresor) dhe Counter Assault Team (për të zmbrapsur një rrezik edhe më të madh) dhe një mori truprojesh.

Orët e fundit janë ngritur polemika për mungesën e vëzhgimit të zonës përreth podiumit. Shumë ekspertë - ish-zyrtarë - nënvizuan se ishte i nevojshëm një zbulim i kujdesshëm i ndërtesave pranë skenës, pasi ato përfaqësonin një pikë të dukshme qitjeje.

Nuk është ende e qartë se si sulmuesi arriti të hipte në çati pa u parë. Dikush nga turma e vuri re praninë e tij, por ishte vonë.

Siç raportohet nga agjencia “Reuters”, Ben Maser - një saldator 41-vjeçar - tha se ishte jashtë perimetrit të tubimit, duke dëgjuar Trump, kur vuri re dy agjentë që dukej se po kërkonin dikë.

Në atë moment, edhe ai filloi të kontrollonte zonën. Një person i intervistuar nga BBC tha se ai pa personin e armatosur dhe u përpoq pa sukses të lajmëronte policinë dhe shërbimet sekrete.

“Ne vumë re djaloshin duke u ngjitur në çatinë e ndërtesës pranë nesh, 15 metra larg”, tha Greg Smith. “Ai kishte një pushkë, mund ta shihje qartë një pushkë. Ne po e shikonim atë, policia ishte në tokë dhe ne po thoshim: ‘Hej, është një djalë në çati me pushkë’... dhe policia nuk e dinte se çfarë po ndodhte".

Smith tha se ai u përpoq të lajmëronte autoritetet për tre ose katër minuta, por mendoi se ata ndoshta nuk mund ta shihnin personin e armatosur për shkak të pjerrësisë së çatisë.

"Pse nuk ka shërbime sekrete në të gjitha këto çati?" “Nuk është një vend i madh. "Është një gabim sigurie, një gabim 100% sigurie", - shtoi ai.

Disa burra nga ekipi “Counter Sniper” u angazhuan atë, duke e vrarë agresorin, por ndërkohë elementi "armiqësor" kishte hapur tashmë zjarr, duke plagosur ish-presidentin. Sulmuesi u neutralizua vonë.

Faza e tretë: evakuimi (agjentë të  hutuar)

Agjentët e mbrojtën Trumpin dhe qëndruan në një rreth duke e përqafuar. Pamjet e transmetuara nga TV, në një moment të caktuar, e shfaqnin politikanin qartësisht të dukshëm dhe të pambuluar.

Situata do të ishte në rrezik, nëse do të kishte pasur një sulmues të dytë të përzier mes kalimtarëve, disa metra larg.

Akoma më keq nëse do të kishte hedhur një pajisje plasëse. Askush, përveç një agjenti të vetmuar, nuk qëndroi para podiumit, i cili ishte i arritshëm për të paktën një fotograf.

Evakuimi - vazhdojnë të theksojnë ekspertët - nuk ishte i shpejtë, herë pas here agjentët dukeshin të hutuar.

Pamjet televizive “dokumentuan” edhe lëvizjet e një shoqërueseje, e cila nuk mundi ta vendoste armën në këllëf.

Faza e katërt: kohët e vështira të Shërbimit Sekret

Shërbimi Sekret “arriti” në këtë incident pas periudhave të vështira dhe nën presidentë të ndryshëm. Kujtojmë njerëzit që futeshin në brenda Shtëpisë së Bardhë, shkeljet e përsëritura të portave të rezidencës, stafin që përfundoi në telashe për sjellje të papërshtatshme për rolin dhe prestigjin e tyre.

Që nga viti 2022, ai drejtohet nga Kimberly Chetley, një veterane me 28 vjet në shërbim dhe një stazh në “Pepsi Cola”.

Ishte ajo që evakuoi Dick Cheney-n në orët tragjike të 11 shtatorit 2001 dhe më vonë u kujdes për Joe Biden, kur ai mbante postin e zëvendëspresidentit.

Megjithatë, në krye të sektorit operacional, është Cynthia Sjoberg Radway, një nga shumë gra që i janë bashkuar departamentit.

Bëhet fjalë për një agjenci që ka burime, përdor mjete speciale (mendoni “Bishën”, limuzinën super të blinduar dhe kolonën që e ndjek), ka 150 degë dhe ka 7 mijë zyrtarë, por që nuk mund t’ia lejojë vetes të bëjë qoftë edhe një herë gabim.

Përshtati: Gazeta ‘Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë