Euro2024

De La Fuente: Finalja nuk ka favoritë, duhet të jemi më lartë se në çdo ndeshje tjetër nëse duam fitoren

Spanja do të përballet me Anglinë e Gareth Southgate këtë të dielë në orën 21:00 në finalen e EURO 2024 në Gjermani.

Para ndeshjes që do të vendosë fituesin e trofeut të Kampionatit Europian, trajneri i Spanjës, Luis De la Fuente deklaroi në konferencën për mediet se kjo do të jetë një përballje e fortë, teksa shtoi se ndeshja mund të fitohet edhe nëse nuk luajnë bukur.

“Është një lojë shumë e fortë. Ne e dimë se Anglia ka potencial fantastik futbolli dhe mund të bëjë një rikthim të madh nesër. Ne duhet të përballemi dhe të shohim se kush fiton dhe kush bën më pak gabime. Edhe nëse ndeshja është shumë më e keqe, sërish mund ta fitosh kështu që duhet të jemi plotësisht të përqendruar te kjo lojë”-tha fillimisht ai.

Teksa i pyetur se si do të ndikonte te ai nëse fitojnë, tekniku i “furisë së kuqe” u shpreh se do ta vlerësonte si çdo hap tjetër që e ka ndihmuar të arrijë deri aty.

“Nëse fitojmë, nuk do të ndryshojë gjë për mua. Gjërat i kam shumë të qarta prej kohësh. Unë jam një gladiator. Unë kam ardhur këtu duke luftuar dhe do të vlerësojë atë arritje siç kam vlerësuar çdo gjë që më kanë sjellë deri këtu”-shtoi De La Fuente.

Më tej, ai theksoi se edhe nëse nuk ia dalin të fitojnë, vlera e skuadrës së tij është shumë e madhe përderisa ia ka dalë të mbërrijë në finalen e EURO 2024.

“Unë nuk jam dakord që finalet janë vetëm për t’u fituar. Ne jemi të përgatitur të luftojmë dhe të luftojmë për të fituar. Kujtesa është e brishtë dhe mosmirënjohëse për finalistët, por vlera jonë dhe krenaria jonë është të arrijmë tashmë këtu dhe me mënyrën se si ia kemi dalë ka vlerë më të madhe. Sigurisht që ne jemi të përgatitur mendërisht për të fituar dhe do të shkojmë për këtë, por nuk jam dakord me mënyrën se si trajtohen ata që nuk fitojnë”-vijoi trajneri i Spanjës.

I pyetur nëse e shohin veten si favoritë, tekniku spanjoll shtoi se ndeshja është e barabartë dhe se për të nuk ka favoritë.

“A jemi ne favoritë? Ne qëndrojmë të qetë dhe e dimë që nuk ka favorit, se është një ndeshje shumë e barabartë. E dimë që nëse nuk jemi mbi nivelin e ndeshjeve të fundit nuk do të kemi shanse për të fituar. Skuadra dhe unë kemi respekt për rivalin tonë”-përfundoi Luis De la Fuente./Supersport


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë