Pas 28 ditësh dramatike dhe më shumë se 80 orë futboll, 24 skuadra janë reduktuar në dy. Vetëm një ndeshje ka mbetur për t’u luajtur. Spanja dhe Anglia përgatiten për betejën në Olympiastadion të Berlinit të dielën në mbrëmje, ku do të takohen për herë të parë që nga 2018 për kurorën e Europës, një finale që prodhon dhe një sërë narrativash shumë interesante.
Si mund të ndalohen sulmuesit anësorë shpërthyes të Spanjës, Lamine Yamal dhe Nico Williams? A është kthyer Anglia në një kombëtare të paparashikueshme? A mund ta privojë Anglia mesfushën spanjolle?
Impakti i stolit të “Tre Luanëve” ka qenë vërtetë brilant. Do të zbulojmë anët e forta dhe të dobëta të ekipeve, duelet që do të bëjnë diferencën dhe shumë aspekte të tjera që mund të provohen të rëndësishme.
Më poshtë do të gjeni udhëzuesin tuaj përfundimtar taktik për finalen e Euro 2024.
Pas fitores 2-1 ndaj Francës në gjysmëfinale, skuadra e Luis de la Fuentes u bë e para në histori që i fiton gjashtë ndeshjet e para në një Europian. “La Furia Rojas” iu desh “extra-time” (koha shtesë) për të fituar ndaj Gjermanisë, por ndaj çdo kundërshtari tjetër kanë demonstruar superioritetin brenda 90 minutave. Me nëntë golashënues të ndryshëm, rreziku i Spanjës ka ardhur nga e gjithë skuadra, por është e qartë arsyeja se përse zotërojnë kaq shumë kërcënim.
Williams dhe Yamal kanë ndezur turneun në secilin krah të sulmit, me vrapimet e tyre të arsyeshme dhe me driblimet e vazhdueshme, duke shtyrë skuadrën në 30 metrat e fundit. Dyshja dinamike është përgjegjëse për 46% të driblimeve të Spanjës në Euro 2024. I talentuari Yamal u bë shënuesi më i ri në historinë e Kampionatit Europian (16 vjec, 362 ditë) pas finalizimit të tij mbresëlënës ndaj Francës. Ishte një finalizim që lehtësisht mund të shpallet goli i Europianit dhe nuk mund të thuhet që Franca nuk ishte e paralajmëruar.
Tendenca e Yamal për t’u futur në brendësi në këmbën e tij më të mirë dhe të godasë në cepin e largët ka marrë nuanca të tipologjisë së golave që shënoheshin nga Arjen Robben. Përtej gjuajtjes së tij, kreativiteti i Yamal ka spikatur më së shumti. Asnjë lojtar spanjoll nuk ka krijuar më shumë raste nga loja e hapur se Yamal, plot 11 të tillë.
Dhe shërbimet e tij të shpeshta në shtyllën e dytë janë provuar si më të rrezikshmet. Kundërshtarët nuk duhet të jenë të surprizuar, pasi shërbime të tilla identike në shtyllën e dytë Yamal ka dhuruar edhe tek Barcelona në 12 muajt e fundit.
Ndërkohë që Yamal mori lëvdata për paraqitjen e tij në krahun e djathtë ndaj Francës, është krahu i majtë i Spanjës ku janë ndërtuar sulmet më të shumta. Ndaj Gjelave, 59% e prekjeve sulmuese erdhën në krahun e majtë. Ndërkohë që 30% e prekjeve të tjera në sulm në krahun e djathtë. Pse ndodh dicka e tillë? Për shkak të cilësive që kanë spanjollët në secilin krah të fushës. Ndërkohë që Yamal shkëlqen në duelet një për një, Williams kombinon mjaft mirë me Marc Cucurella-n, që vjen vazhdimisht në mbipozicion për t’u bërë pikë pasimi.
Si mund ta parandalojë Anglia sulmin spanjoll në fazën sulmuese? Me shumë vështirësi. Fleksibiliteti i Anglisë për t’u zhvendosur në një mbrojtje me pesë lojtarë si në çerekfinale dhe gjysmëfinale do të jetë vendimtare edhe ndaj Spanjës, pasi ato kërkojnë të mbulojnë hapësirën në të gjithë gjerësinë e fushës. Në veçanti, energjia e Bukayo Saka do të kërkohet që të mbrojë krahun e djathtë të Anglisë kundër rotacioneve të shumta të Spanjës në krahun e majtë.
Saka mori komplimente nga Southgate për disiplinën në mbrojtje ndaj Holandës, duke treguar shumë përgjegjësi në lojën pa top. Komunikimi me Kyle Walker ishte i rëndësishëm për atë paraqitje solide ndaj Holandës. Në anën tjetër, Anglia duhet të mobilizohet dhe të sulmojë krahun e majtë të Spanjës dhe të godasë mangësitë në mbrojtje të Cucurella-s, veçanërisht me rrezikshmërinë që Saka ka treguar në këtë Europian.
Cucurella ka përjetuar një turne të mirë, por nuk ka qenë bindës në nivel klubesh që kur iu bashkua Chelsea-t në 2022. Nga rastet që Spanja ka pësuar, 42% kanë ardhur në krahun e majtë, në krahasim me 24% në krahun tjetër. Pothuajse çdo lojtar i Anglisë është përballur me Cucurella-n në Premier League dhe ata janë të njohur me pikën e tij të dobët pa zotërimin e topit.
Një vendim për të shënjestruar mbrojtësin e majtë mund të rezultojë fitues. Sulmuesit anësorë të Spanjës kanë rrëmbyer vëmendjen, por është mesfusha që i ka lejuar të arrijnë marshin maksimal. Dyshja Rodri-Ruiz ka qenë thuajse perfekte, në fillim duke i dhënë lirinë e duhur Pedrit dhe më pas Dani Olmos, për të gjetur hapësirat mes linjave.
Rodri po performon në kulmin e fuqive të tij në 18 muajt e fundit, me një vazhdimësi impresionuese, që shikuesit shpeshherë mund ta marrin për të mirëqenë. Nr.16 i Spanjës ka kryer 403 pasime këtë turne me një kompletim 94%. E bashkuar kjo me depërtimet e shpeshta në zonë dhe cilësitë teknike të Ruiz, Rodri ka kapacitetin për të organizuar sulmin ose për të vepruar si një çlirues i presionit, duke u shkallëzuar lart ose poshtë sido që ai e sheh të arsyeshme. Mund të jeni të sigurt se kjo dyshe e frikshme do të ketë gjurmët në sulmin spanjoll edhe në finale. Prandaj, ndalimi i atij çifti në mesfushë mund ta ndihmojë shumë Anglinë.
Si mund ta bëjë Anglia këtë? Gjermania dha një sinjal shumë të mirë në pjesën e parë me Spanjën se si mesfusha e tyre mund të ndalohet, me mesfushorët si Gundogan dhe Emre Can që markuan një për një Rodrin dhe Fabian Ruiz, duke privuar dyshe nga diktimi i lojës. Kishte shumë moment kur Gjermania ushtroi presing në mënyrë agresive. Kjo e detyroi portierin e Spanjës, Unai Simon, për të tentur dhe topat gjatë, shpesh duke e humbur zotërimin e topit.
Nëse Anglia mund të ruajë të njëjtin nivel disipline gjatë gjithë ndeshjes, duke zbritur Bellingham dhe Foden për mesfushorët spanjoll, mund të ndalojë Spanjën në ndërtimin e zakonshëm. Spanja paraqet një rrezik të dyfishtë në strategjinë e saj. Nëse tenton t’i presësh në mbrojtje, ata mund të ndëshkojnë me zotërimin e dendur të topit, nëse provon t’i afrohesh me presing, ata mund të të godasin me vertikalitetin e tyre në thellësi.
Spanja mund të jetë favorite për finalen, por Anglia do të mbërrijë në Berlin si një skuadër me më shumë eksperiencë në turnetë e fundit madhor. Spanjollët nuk kanë arritur një finale Europiani që prej 2012, kur e fituan atë. Ndërkohë që Southgate ka siguruar dy finale radhazi dhe kësaj radhe anglezët do të tentojnë që të lënë pas krahëve zhgënjimin e Euro 2021, kur u mundën nga Italia.
Një vlerësim diplomatik do të ishte se Anglia ka qenë konfuze këtë verë. Ka pasur momente ku ka treguar kohezion të plotë në zotërimin e topit – veçanërisht në pjesën e parë kundër holandezëve – por përfundimi kryesor ka qenë se skuadra e Southgate ka treguar pikat e forta në momentet individuale dhe jo në performancën e tyre të përgjithshme.
Shpejtësia e lojës përpara të Anglisë ka qenë një burim i madh zhgënjimi midis tifozëve dhe numrat mbështesin ankesat e tyre. Nëse krahasojmë stilin e Anglisë me 23 skuadrat e tjera të mbetura, qasja e tyre në zotërimin e topit ka qenë e kujdesshme dhe pa treguar rrezikshmërinë e duhur në metrat e fundit. Nga të gjitha 16 shtetet e fundit që mbetën në fazën me eliminim, vetëm Rumania dhe Gjeorgjia kanë pasur një shifër më të ulët të golave të pritshëm (0,7) ndërkohë që Anglia e ka (0,72.) Skuadra me shifrën më të mirë të golave të pritshëm? Spanja që gjeneron një numër prej 1,8 golash për ndeshje në gjashtë takimet e tyre.
Taktikisht, Southgate është gjykuar shpesh, por ndryshimi që i ka bërë sistemit në dy ndeshjet e fundit ka treguar një bazament më të mirë, sidomos me efikasitetin e treguar në presingun e ushtruar lart. Një zhvendosje në 3-4-2-1 i përshtatur më së miri Sakas, Fodenit dhe Jude Bellinghamit, duke dhuruar më shumë ekuilibër në sulm dhe më shumë soliditet në mbrojtje.
Ndërsa gjërat nuk kanë shkuar ende siç duhet për Harry Kane. Kapiteni i Anglisë shënoi golin e rëndësishëm të barazimit ndaj Holandës, duke shënuar dhe golin e tij të gjashtë fazat me eliminim, katër i shënoi në Europianin e fundit. Aktivizimi i Waktins rezultoi vendimtar për Anglinë ndaj Holandës. Vrapimi i Watkins tek goli i dytë pas shpinës së kundërshtarëve tregoi kontrastin me Harry Kane, me kapitenin që nuk i kryen të njëjtat vrapime. Përballë Spanjës, Anglisë mund t’i nevojiten të dyja variantet, një lojtarë që mund të zbresë poshtë dhe qëndrojë në zonat qendrore dhe një lojtar që mund t’i japë thellësi skuadrës me penetrimin përtej mbrojtjes spanjolle.
Zëvendësimet e Southgate janë kritikuar këtë verë. Por ndaj Sllovakisë dhe Holandës, lëvizjet e tij rezultuan të suksesshme. Si aktivizimi i Toney ndaj Sllovakisë dhe i Palmer dhe i Watkins ndaj Holandës.
Anglia nuk ka treguar rrjedhshmëri të plotë në qarkullimin e topit dhe dominimin e ndeshjeve, por kanë mbërritur në finale. Në një turne, ku detajet e vogla bëjnë diferencën dhe cilësitë individuale vlejnë shumë, pragmatizmi mund të avancojë më gjatë. Në nivel klubesh, Reali i Madridit ka shfaqur një strukturë të njëjtë në ecuritë e suksesshme në Champions League. Si De La Fuente dhe Gareth Southgate meritojnë komplimente për përkushtimin e treguar, nga drejtimi i grupmoshave të kombëtareve deri në ekipin e parë.
De La Fuente udhëhoqi Spanjën drejt fitimit të Europianit në 2015 me U-19 dhe në 2019 e ekipin U-21. Të dielën ka mundësinë që të kompletojë një “tripletë” me ekipin e parë. Ndërkohë, dedikimi i Southgate me Federatën Angleze daton që prej vitit 2013, duke drejtuar ekipin U-21 në Europianin e 2015, para se të merrte ekipin e parë në 2016. Të dy trajnerët kanë qenë vendimtarë për promovimin e të rinjve brenda formacionit të tyre kombëtar dhe duhet të lavdërohen për ecurinë e kombëtareve të tyre në Euro 2024.
Le të fitojë skuadra më e mirë!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.