Lajme

Vettingu në politikë, PS rrëzon nismën e opozitës

Me 8 vota pro dhe 12 kundër, mazhoranca socialiste rrëzoi nismën e opozitës për Vettingun e politikës në mbledhjen e përbashkët të komisionit të Ligjeve dhe këshillit të Legjislacionit. E mbledhur në drejtimin e kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, dy organizmat parlamentare u njohën me relacionet e dy deputetëve Vasilika Hysi dhe Oerd Bylykbashi mbi nismën. Të dy relatorët dhanë qëndrime të ndryshme në lidhje me këtë nismë.

“Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 84/2017, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, relatori, deputeti i PD-së, Oerd Bylylbashi u shpreh : “Mund të bëjmë përmirësime ligjore nëse nisma shqyrtohet nen për nen, të miratojmë ndryshimet kushtetuese, e më pas të bëjmë ligjin e posaçëm për Veting-un në politikë”.

Por nënkryetarja e Kuvendit, socialistja Vasilika Hysi theksoi se Komisioni i Venecias ka gjetur probleme në draftin e propozuar nga opozita. “Komisioni i Venecias na ka dhënë leksion, se Vetting-u i gjyqtarëve nuk është i njëjtë me atë në politikë. Të mos e miratojmë nismën e PD dhe LSI në seancën plenare” – u shpreh Hysi

Dputeti i PD-së, Bylykbashi u shpreh se Komisioni i Venecias ka bërë me dije se qëllimi i draftit ishte legjitim, ndërsa gjithë të tjerat janë teknikalitete. Në këtë linjë kanë qenë edhe diskutimet e deputetëve demokratë dhe socialistë.

Pas diskutimeve të anëtarëve të mbledhjes së përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit për Legjislacionin, me 8 vota “pro” dhe 12 vota “kundër” u rrëzua në parim projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 84/2017, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

Sipas Rregullores së Kuvendit, raporti i shumicës parlamentare dhe mendimi i pakicës parlamentare për këtë projektligj do të publikohen në faqen zyrtare të Kuvendit dhe do t’i paraqiten për shqyrtim seancës plenare.
Ndërkaq socialistët dhe opozitarët do të shkojnë në Venecia me dy qëndrime të ndryshme, ku për PS-në nisma e opozitës duhet rrëzuar. Por për demokratët Venecia e ka pranuar në thelb nismën dhe si e tillë duhet të miratohet.

Ndërkaq Kuvendi duhet të përcaktojë edhe datën për votimin në seancë të nismës së opozitës, sigurisht se cila mund të realizohet pas 15 dhjetorit, kohës së Komisioni i Venecias të publikojë raportin final mbi nismën e opozitës për ndryshimin e Kushtetutës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë