Gazeta Si - "Ajo foto është një çështje fati, një lidhje hyjnore". Dy yjet në qendër, janë Leo Messi dhe Lamine Yamal, të fotografuar nga Joan Monfort, autori i fotografisë që bëri xhiron e botës. Edhe pse identiteti i atij fëmije u zbulua vetëm pak ditë më parë.
Është një mbrëmje e enjte, bie telefoni: është një koleg i gazetës katalanase “Sport”. “Është fotografia juaj? Është Lamine Yamal”.
"Dreqi ta hajë!”, është reagimi surprizë i Joanit. "Jam i trullosur dhe i lumtur". 17 vjet më vonë, shkrepja e tij është bërë ikonë. Në vitin 2007, argjentinasi sapo kishte filluar karrierën e tij, ndërsa spanjolli ishte i porsalindur.
Të dy, udhëhoqën kombëtaret e tyre respektive në finalet e Kupës së Amerikës dhe Kampionatit Evropian.
Edhe pse “prindërit e Lamine, mbaj mend se kishin preferuar Ronaldinhon, Leo nuk ishte ende aq i vendosur” për foton. Por ndoshta është më mirë në këtë mënyrë. “Duket se Messi e bekoi atë foshnjë të të porsalindur”.
Tensioni i Messit dhe buzëqeshja e Yamal
“Leo ishte pak i tensionuar, nuk mendoj se kishte mbajtur fëmijë të tjerë. Ai ishte vetëm 20 vjeç”, kujton Joan Monfort.
Nga ana tjetër, Yamal i vogël është më i qetë: “Falë nënës së tij, arritëm ta bënim të buzëqeshte. Ai ishte një fëmijë shumë i mirë”.
Fotoja ishte pjesë e një kalendari solidariteti të krijuar me Unicef-in për të drejtat e fëmijëve. “Ishte ai i janarit, fliste për fëmijërinë”.
Fëmijët u zgjodhën në Rokafonda, “lagja e Lamine. Një zonë shumë e varfër me rrezik të lartë margjinalizimi” (Yamal feston me gjestin 304, kodi postar i lagjes së tij).
Prindërit e regjistrojnë, fëmija zgjidhet me short për foton. Dhe më pas shkrepja: “Pak para se të laja vajzën time Jana, e kuptova se kisha përpara foton që doja të bëja. Kështu mora legenin, peshqirët dhe një rosë, tashmë të trashëguar nga disa nipa”.
“Ditët e fundit kam menduar shumë për atë situatë, duke u përpjekur të rindërtoj çdo moment. Më kujtohet një gjë... sa djersita, edhe pse ishte dimër”, thotë Joan.
Ditët e fundit, atij i kanë vërshuar komente dhe mesazhe: “Nuk kam reshtur së marri urime. Për këtë kishte edhe shumë shaka dhe unë qesha shumë. Më qesharakja? E dëgjova veten të dubluar në arabisht, një gjuhë që absolutisht nuk e di".
“Tani ëndërroj një foto tjetër me të dy”
Joan Monfort tani është fotoreporter për gazetën sportive spanjolle “As”, megjithëse pasioni i tij mbeten “portretet, ato më lejojnë të përdor kreativitetin. Unë kam bërë shumë, por asnjë tjetër me një fëmijë në një legen".
Sportisti që do të dëshironit të përjetësonit? “Tashmë e kam bërë: Leo Messi, më i miri në planet”.
Dhe tani mbetet një ëndërr: “Të bëjmë një tjetër foto me të dy, ndoshta pas fitores së Kupës së Amerikës dhe Kampionatit Europian. Fotot janë gjithçka. Një dëshmi për historinë që mund të bëhet ikonë." Ndonjëherë është thjesht çështje kohe. Sa? 17 vjet, për shembull.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.