Rend dhe Ligj

Protesta e opozitës në Bulevard, disa rrugë bllokohen që prej orës 18:00 në Tiranë

Gazeta Si – Opozita mban mbrëmjen e kësaj të enjteje (ora 20:00) protestën e radhës kombëtare, ndaj dhe disa rrugë në Tiranë do të bllokohen duke nisur që nga ora 18:00.

Policia njofton se nuk do të lejohet qarkullimi në rrugët: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Rrugët do të jenë të bllokuara deri në përfundim të protestës, për të cilën nuk ka ende një skenar të qartë se çfarë do të ndodhë. Për këtë arsye, policia iu bën thirrje qytetarëve që të shmangin këto rrugë.

“Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim”, thuhet në njoftim.

Një mesazh ka pasur edhe për organizatorët, që t’u shmangen akteve të dhunës.

“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe për të marrë pjesë në tubime dhe i bën thirrje organizatorëve, drejtuesve, pjesëmarrësve në tubime, dhe përfaqësuesve të subjekteve politike, që të ushtrojnë të drejtën e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.

Në këtë kuadër, Policia e Tiranës bën thirrje për të gjithë pjesëmarrësit në tubim, që të distancohen nga çdo akt që cenon sigurinë dhe jetën e tyre, dhe çdo akt dhune ndaj punonjësve të Policisë, përfaqësuesve të mediave apo vetë pjesëmarrësve.

Policia garanton qytetarët se ka marrë të gjitha masat në përmbushje të përgjegjësive institucionale, për garantimin e rendit dhe të sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit, si dhe për garantimin e sigurisë rrugore, në të gjithë territorin e vendit, veçanërisht në sheshet dhe në segmentet rrugore, në të cilat do të zhvillohet tubimi”, përfundon deklarata e Policisë së Shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë