Politike

PD-PBDNJ nuk bien dakord për djalin e Belerit, kandidati i opozitës për Himarën zgjidhet një shqiptaro-amerikan

Gazeta Si - Petro Gjikuria, një shqiptaro-amerikan, i cili jeton në SHBA dhe që ka ardhur gjatë ditëve të fundit në Shqipëri, është zgjedhur si kandidati i opozitës për zgjedhjet e pjesshme të Himarës.

Do të jetë pikërisht Gjikuria kandidati nga radhët e opozitës, i cili do të garojë përballë Vangjel Tavos i nominuar nga mazhoranca për të drejtuar Bashkinë e Himarës.

Fillimisht u fol se kandidat do të ishte djali i Fredi Belerit, Petro Beleri, por sipas burimeve, PD nuk ka rënë dakord që PBDNJ të propozojë këtë emër.

Gjatë ditës së djeshme, kreu i PBDNJ, Vangjel Dule ka takuar sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka dhe kanë biseduar për kandidatin e Himarës duke rënë dakord për emrin e Peter Gjikurias.

Ditën e nesërme, kreu i PBDNJ, Vangjel Dule pritet të dalë në një konferencë për mediet për të dhënë detaje për kandidatin Gjikuria.

Zgjedhjet në Himarë do të mbahen më 4 gusht, pasi disa ditë më parë KQZ vendosi të shpallte të pavlefshëm mandatin e Fredi Belerit, i dënuar për blerje votash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë