Gazeta Si – Dy autorët e vrasjes së biznesmenit Rakip Roli në vitin 2021 në fshatin Sanxhak të Kurbinit janë dënuar në total me 47 vite burg.
Gjykata e Lezhës ka dhënë 27 vite burg për autorin kryesor të kësaj ngjarje, Llej Lika dhe 20 vite burg për bashkëpunëtorin e tij, Klaudio Gjegji (Beleshi).
Ky i fundit fillimisht u procedua për moskallëzim krimi, por hetimet provuan se Beleshi, kishte tjetër rol në vrasjen e Rakip Rolit.
Llej Lika, që në momentin e arrestimit deklaroi se e kishte vrarë Rakip Rolin për hakmarrje pasi, një ditë më para krimit, ai së bashku me dy djemtë e tij e kishin dhunuar.
Biznesmeni 55-vjeçar Rakip Roli, i njohur ndryshe si Pilot Roli, u ekzekutua me breshëri automatiku mëngjesin e 10 dhjetorit të vitit 2021 sapo kishte dalë nga banesa në fshatin Sanxhak të Kurbinit.
Në kamerat e sigurisë policia ka konstatuar se në ikje e sipër, në “Benz”-in e përdorur në vrasje janë dy persona.
Ndërsa sipas dëshmisë së vetë Llej Likës dhe banorëve të zonës, pas kryerjes së krimit, Lika ka shkuar në vendin ku ishte dhunuar në 8 korrik nga Rakipi dhe dy djemtë e tij, duke qëlluar me një breshëri në ajër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.