Nga Gazeta 'SI' - Kreu i Entit Rregullator të Energjisë, ERE, Petrit Ahmeti, tha sot se, “institucionet që merren me transmetimin e energjisë elektrike në rajonin tonë, janë duke analizuar fenomenin e ndërprerjes së energjisë elektrike para pak ditësh, që ishte një situatë e vështirë në të gjithë rajonin dhe jo vetëm në Shqipëri”.
Gjatë prezantimit në komisionin e Kuvendit, pyetur nga deputeti i opozitës Luan Baçi, mbi shkakun e “blackout-it”, Ahmeti informoi se “defektet në linjat 400 kilovolt nuk para ndodhin, ndaj dhe duan një analizë serioze kur ndodh”.
“Ne presim në analizën e këtij fenomeni, që nuk është se ndodhi vetëm tek ne, por edhe në vendet fqinjë. Ka qenë një defekt që ka ndodhur përpara me Malin e Zi dhe më pas me Greqinë”, u shpreh ai.
Ahmeti theksoi se, aktualisht institucionet që merren me transmetimin e energjisë në rajonin tonë janë duke analizuar fenomenin, sepse ende nuk dihet arsyeja se pse ndodhi kjo gjë.
Ai garantoi se, ky fenomen nuk mund të jetë një problem i brendshëm që ndikon linjat e vendit.
“Selektimi i mbrojtjes tek ne, nuk gjeneron këtë fenomen edhe në rajon. Presim raportin e ekspertëve të BE për këtë defekt. Ajo që ndodhi është se ne sot morëm një informacion nga OST që brenda një kohe relativisht të shkurtër, u vendos në punë shumë shpejtë sistemi shqiptar, nga ç’u vendos në vendet e Ballkanit dhe kjo tregon një gadishmëri dhe përgjegjshmëri maksimale”, u shpreh Ahmeti, teksa shtoi se, “një analizë përfundimtare dhe e thelluar do të vijë në një kohë të dytë dhe do të vihet në dispozicion të informimit”.
Më tej Ahmeti bëri një përmbledhje të vitit energjetik 2023, që ka rezultuar tejet pozitiv.
Kreu i ERE tha se në 2023-shin prodhim i energjisë u rrit me 30%, dominuar nga prodhuesi shtetëror.
Ai informoi se vitin e kaluar u shënuan ulje të nivelit të humbjeve në rrjet dhe rritje e arkëtimit të faturimit të energjisë elektrike.
“Humbjet e energjisë elektrike në rrjetin e shpërndarjes të raportuara nga OSHEE Group përgjatë vitit 2023 janë 18.93 %, me një diferencë prej 0.7 % më të ulta se targeti i vendosur në VKM-në. Ndërsa niveli total i arkëtimeve për vitin 2023 është 99.4 % kundrejt energjisë elektrike të faturuar. Ky nivel arkëtimesh për vitin 2023 rezulton me rritje, krahasuar me vitin 2022 që ishte 98%”, u shpreh ai.
Duke u ndalur te konsumi i energjisë elektrike, Ahmeti bëri të ditur se, konsumi total i energjisë elektrike i realizuar për vitin 2023 rezulton 7,875,861 Msh. Ulja e konsumit të energjisë elektrike total në vend për vitin 2023, krahasuar me konsumin maksimal për vitin 2021, shkon në rreth 6.4 %.
Sipas tij, numri i përgjithshëm i klientëve për vitin 2023 është 1,334,091 ku 77.1% e zënë klientët familjarë dhe pjesa më e madhe është në Tiranë, me rreth 27.4 % të të gjithë klientëve që ka FSHU sh.a.
Ahmeti e konsideroi hap shumë të rëndësishëm krijimin e Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX).
“Volumi total i tregtuar në bursë për vitin 2023 rezulton të jetë 827,541 Msh dhe çmimi mesatar i arritur nga ALPEX sh.a. rezulton të jetë 106.5 Eur/Msh”, tha ai.
Kreu i ERE u ndal edhe në kujdesin ndaj konsumatorit për zgjidhjen e ankesave apo kërkesave të tyre. Sipas tij, përgjatë vitit 2023 rezultojnë 99 ankesa dhe 65 kërkesa për orientim apo informacion në lidhje me trajtimin e një çështje apo adresimin e një shqetësimit të konsumatorëve.
Ahmeti deklaroi se, “pavarësisht performancës pozitive të sektorit të energjisë, përfshirë dhe sektorin e gazit natyror për vitin 2023, ku një rol të veçantë ka pasur dhe përgatitja e legjislacionit sekondar dhe rregullator, vlen të theksohet se ndër fushat të cilat do të jenë objektiv kryesor i punës së ERE-s për vitin në vijim është monitorimi i tregut të energjisë si dhe rishikimi e miratimi i akteve rregullatore për të pasur një zhvillim të mëtejshëm të këtij tregu në vendin tonë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.