Drejtësia

Dosja ‘5D’, GJKKO lë në burg 3 ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës

Gazeta Si - Tre ish drejtorët e Bashkisë Tiranë, Redi Molla, Taulant Tushe dhe Mariglen Qato do vijojnë qëndrimin në qeli.

Gjykata e Posaçme rrëzoi sërish kërkesën e tyre për zbutje të masës së sigurisë.

Tushe, Molla dhe Qato u arrestuan në muajin mars të këtij viti me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, në kuadër të hetimeve për dosjen “5D”.

Tre ish drejtorët u lanë në masën “arrest në burg”, ndërsa pesë persona të tjerë në masën “detyrim paraqitje”, konkretisht Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari, Deborah Kecci dhe Englatina Zere.

Hetimi për këtë çështje nisi në vitin 2023, për dy vepra penale “Shperdorim detyre” dhe “shkelje e barazisë ne tendera”.

Në fund, të marsit, nëntë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës përfunduan në pranga pas urdhër-arresteve të lëshuara nga Prokuroria e Posaçme.

Urdhër-arrestet e SPAK lidhen me tenderat e Bashkisë së Tiranës dhe institucioneve në varësi të saj, të fituara nga kompania “5D Konstruksion” sh.p.k., e cila njihet edhe si subjekti “Igor Elektrik” sh.p.k apo  “V.A.S Konstruksion” sh.p.k.

Sipas SPAK, rezulto se Molla e Qato janë pronarët faktikë të kompanisë “5D Construction” e cila në periudhën 2016-2020 ka fituar tendera në kundërshtim me ligjin nga Bashkia e Tiranës dhe institucionet në varësi të saj.

Hetimi zbuloi se ish-drejtorët, ai i Ujësjellësit, Redi Molla dhe i IKMT-së Mariglen Qato, të cilët do të hetohen duke qëndruar në burg, në harkun kohor të viteve 2016-2020 kishin favorizuar në së paku nëntë procedura tenderimi kompaninë “5D Construction”, e cila rezulton dhe me dy emra të tjerë.

Sipas SPAK, kjo kompani është e regjistruar në emra të tjerë, lidhje miqësore dhe shoqërore e të dyshuarve por që në të vërtetë pronarë të saj janë Qato dhe Molla.

Emrat e 9 personave ndaj të cilëve GJKKO ka lëshuar masa sigurie:

Eglantina Zere “detyrim paraqitje”
Enton Punavia “detyrim paraqitje”
Debora Keçi “detyrim paraqitje”
Nestor Muhametllari “detyrim paraqitje”
Julian Zanaj “detyrim paraqitje”
Albano Janku “detyrim paraqitje”
Redi Molla “arrest me burg”
Taulant Tusha “arrest me burg”
Mariglen Qato “arrest me burg”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë