Gazeta Si - Shqipëria ka marrë një barazim të rëndësishëm në minutat shtesë kundër Kroacisë me golin e Klaus Gjasulës, i cili shënoi në minutën e fundit për t’i dhënë pikën e parë kuqezinjve në këtë Europian.
Në një ndeshje thuajse dramatike dhe me përmbysje, barazimi 2-2 në Hamburg të Gjermanisë i ka dhënë nga një pikë dy skuadrave nga Ballkani.
Qazim Laçi zhbllokoi sfidën në minutën e 11-të me kokë, por kroatët përmbysën me golat e Kramaric dhe minutën e 74-t dhe autogolin e Gjasulës në minutën e 76-të.
Në fund, ishte pikërisht Gjasula që shënoi golin e barazimit, duke i dhënë Shqipërisë pikën e parë në Europian.
Rezultati i jep një pikë Shqipërisë, që mban gjallë shpresat për kualifikim.
16:53 - Klaus Gjasula realizon një supergol nga brenda zonës, duke barazuar rezultatin. Kroaci-Shqipëri 2-2.
16:50 - Arbër Hoxha bën një zbritje fantastike në krahun e majtë, por fillimisht Seferi e më pas Daku, humbin një rast të artë për të barazuar.
16:34 - Kroacia përmbys rezultatin, tani jemi në 2-1. Hutim total në zonë dhe një top i gjuajtur nga kroatët përplaset mes Gjimshitit e Gjasulës e përfundon në rrjetë.
16:31 - Barazon Kroacia! Kramariç lihet i vetëm në zonë dhe godet lehtësisht në portë.
16:08 - Kroacia i shkon shumë pranë golit të barazimit, pasi Luka Sucic goditi fort nga brenda zonës, por Thomas Strakosha realizoi një pritje të shkëlqyer, duke ia mohuar. 0-1 për Shqipërinë.
15:45 - Mbyllet pjesa e parë e sfidës, me Shqipërinë në epërsi pas golit të Qazim Laçit. Shqipëria arriti të përballojë mesfushën teknike të Kroacisë dhe në disa raste rrezikoi edhe në sulm, për të shënuar më tepër. 45 minuta larg fitores historike!
15:30 - Asllani humb një mundësi të artë për të dyfishuar avantazhin, pasi i vetëm përballë portierit Livakovic, nuk arrin ta dërgojë topin në rrjetë. Rasti u krijua pasi Luka Modriç humbi një top në mesfushë dhe lojtarët e Kombëtares organizuan kundërsulmin.
15:11 - Shqipëria kalon në epërsi me një gol fantastik të realizuar nga Qazim Laçi. Një krosim fantastik nga Asani në zonë u devijua saktë nga mesfushori. 1-0 për Shqipërinë.
15:00 - Ka nisur ndeshja e shumëpritur Kroaci-Shqipëri, e dyta në grup për Kombëtaren tonë në Euro 2024. Pas humbjes me Italinë, kuqezinjtë kërkojnë të marrin një rezultat pozitiv, për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim.
Kuqezinjtë e Sylvinhos zbritën në fushë pas disfatës me Italinë, teksa tashmë luajnë për çdo gjë.
Duket se tekniku brazilian ka kryer zëvendësime në mesfushë dhe sulm, duke lënë në stol Seferin dhe Brojën, teksa Bajrami ka kaluar në krahun e majtë, me Laçin që luan në mesfushë dhe Manaj në krye të pjesës ofensive.
FORMACIONET ZYRTARE:
KROACIA: Livakovic, Juranovic, Sutalo, Gvardiol, Perisic, Modric, Brozovic, Kovacic, Majer, Petkovic, Kramaric.
Trajner: Zlatko Dalic
SHQIPËRIA: Strakosha, Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj, Ramadani, Asllani, Laçi, Bajrami, Asani, Manaj.
Trajner: Sylvinho
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.