Gazeta Si – Gjykata e Apelit ka lënë në qeli Dritan Nanon dhe Dorian Alian, si dy nga autorët e dyshuar të dhunimit të avokatit Sokol Mëngjesi në Tiranë rreth 1 muaj më parë.
I pari dyshohet si personi që ka kërkuar dhe organizuar dhunimin e avokatit dhe i dyti si një nga personat që ka vepruar në terren, duke e goditur atë me grushte dhe përforcues grushti bashkë me 3 të tjerë të shpallur në kërkim.
Më herët, ata kanë mohuar të ishin organizuar për të kryer sulmin fizik ndaj avokatit, teksa Alia tha se nuk kanë shkuar aty me këtë qëllim.
Ndaj Nanos, Alias dhe 3 të shpallurve në kërkim si bashkëpunëtorë në dhunën ndaj avokatit, rëndojnë veprat penale të “Plagosjes së rëndë me dashje” dhe “Kundërshtimit dhe goditjes së gjyqtarit”, të kryera në bashkëpunim.
Policia e Tiranës ka vijuar me kërkimet në Tiranë dhe disa qytete të tjerë për 3 të arratisurit, por ende nuk është bërë i mundur lokalizimi i tyre. Ndërkohë avokati Mëngjesi e ka kaluar rrezikun për jetën dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore i shtruar në një spital të Greqisë.
Konflikti, sipas hetimeve ndodhi pasi klienti Dritan Nano nuk pranoi të respektonte kontratën e firmosur, pasi avokati i përfaqësoi dhe fitoi në gjykatë gjyqin civil për një tokë.
Si pasojë e goditjeve të forta në kokë, Mëngjesi qëndroi në koma për 15 ditë dhe aktualisht vijon të jetë nën kujdesin e mjekëse, në një spital të Athinës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.