Ne rrjet

Akuzat ndaj Stoillkoviç / Mickovski ‘merr në mbrojtje’ ministrin serb: I besoj atdhedashurisë së tij për RMV-në

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristjan Mickovskii beson’ atdhedashurisë së serbit Ivan Stoillkoviç për Maqedoninë e Veriut.

Bindjet e tij pro ruse, pjesëmarrja në Forumin e Sigurisë në Moskë dhe mungesa e certifikatës së sigurisë nuk do ta pengojnë Stoillkoviçin për të kryer detyrën e ministrit për Marrëdhënie mes komuniteteve.

“Unë i besoj sinqeritetit dhe korrektësisë së tij dhe pozicioneve të tij pro atdhetare. Sa i përket certifikatës së sigurisë unë mund të ju numëroj një grup funksionarësh të cilët nuk kanë pasur certifikata por ishin anëtarë të Qeverisë”, deklaroi Mickovski.

Mickoski tha se pret nga çdo anëtarë i Qeverisë të ketë bindje në përputhje me interesat atdhetare dhe ruajtjen e partneritetit strategjik me NATO-n dhe BE-në. Komentet e koalicionit VLEN për propozimin e Stoillkoviçit, Mickoski i cilësoi si deklarata demokratike.

“Unë si mandatar nuk i komentoj propozimet e partive të tjera politike. E mira e demokracisë është që t’i lejojmë partitë tjera politike t’i komentojnë propozimet e mia”, shtoi ai.

Në maj të vitit kaluar, Stoillkoviç mori pjesë në Samitin e 11 të Sigurisë në Moskë në shoqëri të drejtorit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, Ministrit të Jashtëm serb Ivica Daçiç dhe presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik.

Stoillkoviç njihet edhe për mik i afërt i ish agjentit serb, Goran Zhivaljeviç i cili më 27 prill të vitit 2017 ishte futur gjatë dhunës në Kuvend, incident diplomatik pas të cilit u tërhoq nga BIA serbe.

Ditë më parë, Fronti Evropian akuzoi koalicioni VLEN se Marrëveshjen e Ohrit po e lë në duar të një serbi, përkatësisht institucionin i cili nga Sekretariat për Marrëveshjen e Ohrit në vitin 2019 u bë Ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive.

VLEN, respektivisht Izet Mexhiti akuzat e Frontit Evropian i quajti manipulime propagandistike duke shtuar se Stoillkoviç nuk do ta ketë në duar fatin e Marrëveshjes së Ohrit dhe se ministria me të cilën udhëheq ai ishte propozuar të formohej në vitin 2008.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë