Euro2024

Kroaci -Shqipëri, një sfidë edhe mes shokësh. Gjimshiti: Çfarë më tha Pashaliç

Ndeshja e sotme Kroaci-Shqipëri pritet te jetë edhe një sfidë mes shokësh. Janë disa lojtarë që luajnë në të njëjtën skuadër në Europë dhe sot mund të jenë kundërshtarë për 90 minuta.

Te Leçe luajnë Marin Pongraçiç dhe Ylber Ramadani e Medon Berisha. Mario Pashaliç dhe Berat Gjimshiti luajnë bashkë tek Atalanta.

“Për këto momentet e fundit jo, por kur ishim në skuadër kemi bërë shaka. Ajo që më ka mbetur në mendje ishte që më tha se Kroacia nuk ka luajtur kurrë kundër Shqipërisë, besoj se do jetë bukur që do luajmë kundër dhe që do e takoj është një djalë i mirë”, tha një ditë më parë Gjimshiti kur u pyet në një konference për mediat se a e kishte folur për ndeshjen me Pashaliç.

Janë edhe disa lojtarë të tjerë kroatë dhe shqiptarë që njihen mirë, pasi kanë qenë në një skuadër, siç është rasti i Etrit Berishës me Nikola Vlashiç, i cili është dëmtuar dhe nuk luan.

Mbrojtësi Ardian Ismajli njihet mirë me Josip Juranoviç, sepse kanë qenë bashkë te Hajduku i Splitit vite me parë.

Me Juranoviç ka një njohje edhe Ernest Muçi nga koha e Legias së Varshavës. Për të ardhur te mesfushorët Marselo Brozoviç dhe Kristjan Asllani tek Interi. Lojtari kuqezi u ble nga Empoli pikërisht për të zëvendësuar kroatin, që tani luan në Arabi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë