Euro2024

Nga ataku i zemrës në fushë, te goli kundër Sllovenisë. Eriksen po shkruan përrallën e tij

Nga Gazeta 'Si'-Tre vjet pasi u shemb në fushën e blertë të “Parken Stadium” në ndeshjen mes Danimarkës dhe Finlandës në Euro 2020, Christian Eriksen shkruan përrallën e tij personale.

Arresti kardiak që mbajti në ankth gjithë botën e futbollit ka qenë prej kohësh vetëm një kujtim i keq dhe tashmë kampioni danez, në jetën e tij të dytë futbollistike, ka mbyllur përfundimisht rrethin me atë të kaluar të dhimbshme, duke shënuar golin e parë të kombëtares së tij në Euro 2024 përballë Sllovenisë, në minutën e 17-të.

Ishte 12 qershor 2021, minuta e 42-të e derbit skandinav në Kopenhagen kundër Finlandës, kur Eriksen u rrëzua befas në tokë, i vetëm, pa lëvizur, me kokën e kthyer.

Të gjithë fansat e futbollit e ndienë dhe përjetuan dramën. Një skenë tronditëse që la pa frymë e me lot në sy lojtarët, i la të përlotur spektatorët në tribuna dhe komentuesit nga e gjithë bota. Mjeku bëri masazh kardiak, operacioni zgjati me kalimin e kohës pa rezultat dhe në fushë u soll me urgjencë defibrilatori, ndërsa lojtarët danezë në lot ndërtuan një mburojë për të mos ekspozuar shokun e tyre të skuadrës. 

Më pas nxitimi për në spitalin e kryeqytetit danez ku Eriksen iu nënshtrua trajtimit fillestar për të stabilizuar gjendjen e tij dhe nga ku erdhën lajmet më ngushëlluese.

Eriksen u qetësua dhe gjendja e tij nisi të përmirësohet. Atij iu implantua një defibrilator, i cili mundëson monitorimin e çdo rrahje të zemrës. “Kjo pajisje është e nevojshme pas një ataku në zemër të shkaktuar nga aritmia”, u tha në shënimin zyrtar për operacionin.

Karriera e tij te Interi përfundoi, sepse në Itali nuk lejohet që futbollistët të luajnë me defibrilator dhe pas një rehabilitimi të gjatë më 31 janar 2022 u transferua te Brentford ku përfundoi sezonin para se të transferohej te klubi i tij aktual, Manchester United.

Saga e gjatë që duhej të kalonte Eriksen u mbyll dje në Shtutgart, kur ai në minutën e 17-të, pas 1100 ditësh fitoi bastin me jetën dhe futbollin, duke kthyer në gol një asist perfekt nga Wind.

Gol, të cilin e pasoi festa, jo vetëm e tij, por e të gjithë atyre që e duan këtë sport.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë