Nga Gazeta 'Si'-Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka njoftuar se ka dorëzuar ankesë zyrtare në UEFA për shkak të shfaqjes së flamujve, sloganeve dhe thirrjeve politike, shoviniste dhe raciste nga tifozët serbë kundër Kosovës gjatë ndeshjes Serbi – Angli, e vlefshme për "Euro 2024".
FFK-ja thekson se shfaqja e papenguar e mesazheve dhe thirrjeve të tilla në një event madhor si "Euro 2024" është e pakuptimtë dhe absurde. Këto thirrje, sipas FFK-së, dëshmojnë urrejtjen e mbjellë në opinionin publik në Serbi ndaj fqinjëve të saj.
Në ankesën e paraqitur, FFK-ja ka dorëzuar të gjitha dëshmitë e nevojshme dhe ka kërkuar masa të rrepta disiplinore ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, e cila është recidiviste në raste të tilla.
Federata e Futbollit e Kosovës gjithashtu ka kërkuar vigjilencë nga organizatori për të evituar shfaqjen e banderolave të tilla në ndeshjet e ardhshme, pasi ato përbëjnë shkelje të rëndë të rregullave të UEFA-s.
"Thirrjet kundër shtetit të Kosovës në një event madhor si Euro 2024 janë motivim për grupet nacionaliste dhe kërcënojnë sigurinë, edhe ashtu të brishtë të rajonit. FFK-ja qëndron fuqishëm në mbrojtje të vlerave të futbollit dhe promovimit të asaj që UEFA përfaqëson: unitet, gjithëpërfshirje dhe pasion për lojën e futbollit. Njëkohësisht, me vendosmëri mbron dinjitetin e shtetit të Kosovës, i cili është krijuar me shumë mund dhe sakrificë", thuhet në reagimin e FFK-së
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.