Euro2024

Kush është tifozi shqiptar që ndërpreu sfidën Itali-Shqipëri: Kisha vënë bast me djalin (foto)

Gazeta Si – Episodi më emblematik që mori vëmendjen e të gjithë tifozëve dhe mediave gjatë ndeshjes Itali-Shqipëri, ka të bëjë me një tifoz shqiptar, i cili hyri në fushën e lojës me një flamur kuqezi në duar, duke e ndalur për disa minuta.

Pamjet janë bllokuar ‘live’ nga regjia qendrore televizive e UEFA-s për të parandaluar që raste të tilla të shihen nga publiku.

Megjithatë, identiteti dhe emri i tifozit shqiptar është zbuluar. Sipas mediave, ai quhet Sami Rexhepi dhe është me origjinë nga Skënderaj i Kosovës.

Rexhepi jeton në Dyseldorf të Gjermanisë dhe për mediat në Kosovë ka treguar arsyen se pse e mori atë veprim.

”Kisha vënë bast me djalin tim. Kjo ka qenë arsyeja”, raportohet të ketë thënë Rexhepi. Pasi u fut në fushë, Rexhepi përshëndeti disa prej futbollistëve të kombëtares, mes tyre edhe Rei Manajn, duke kryqëzyar duart.

Ndërkohë menjëherë ndërhyri sigurimi i stadiumit. Vetëm pasi i “dribloi” disa prej tyre, shqiptari nga Kosova rrëshqiti dhe më pas u neutralizua.

Ai është shoqëruar jashtë stadiumit dhe policia nuk ka marrë asnjë masë apo procedim penal ndaj tij. Sipas Rexhepit, autoritetet e kanë penalizuar duke i ndaluar futjen në stadiumet gjermane në të ardhmen.

Edhe pse Shqipëria humbi minimalisht me kampionët në fuqi të Euripës, Rexhepi e fitoi “ndeshjen” e tij, duke takuar djemtë e kombëtares, si përfaqësues i atyre 50 mijë kuqeizinjve në stadiumin e Dortmundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë