Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në ceremoninë e parakalimit të njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë në nder të 25-vjetorit të çlirimit të vendit, deklaroi se FSK-ja e ka origjinën nga UÇK-ja.
Ai tha se liria e Kosovës erdhi nga lufta e drejtë e UÇK-së, përfaqësuesit politik i të cilës ishte ‘baca Adem’ dhe nga ndihma e NATO-s.
Duke folur për funksionimin e FSK-së, Kurti ka ka përmendur blerjen e dronëve “Bayraktar”, ndërsa ka premtuar që do t’i shtohen sistemi amerikan raketor anti-tank, “Javelin”.
“Parakalimi juaj sot këtu na mbush me krenari dhe na jep ndjenja të sigurisë. Jam shumë i gëzuar të shoh bashkë me ju përparimin e madh dhe të shpejt të FSK-së. Kjo është si rezultat i investimeve dhe punës sonë shumëvjeçare e veçanërisht të tri viteve të fundit.
Kjo është arritur falë dyfishimit të buxhetit, trefishimit të armatimit. Tani janë pajisur edhe me armë të rënda deri me dronët ‘Bayraktar’ e që së shpejti do t’i shtohet edhe sistemi amerikan raketor anti-tank, ‘Javelin’. Një e treta e ushtarëve do të parakalojnë sot. Do të doja që në këtë ditë të rëndësishme kjo paradë të na shërbejë si një nxitje për t’i ripërtërirë ndjesitë tona për liri. Liria e Kosovës ka ardhur përmes gjakut të dëshmorëve dhe martirëve të rënë. Liria e Kosovës erdhi nga lufta e drejtë e UÇK-së, përfaqësuesit politik i të cilës ishte baca Adem. Liria e Kosovës erdhi nga forcat e NATO. Lë të punojmë për çdo ditë që ta bëjmë lirin tonë sa më cilësore”, u shpreh Kurti.
Ndërsa presidentja Vjosa Osmani tha se 25 vite pas, Kosova meriton të anëtarësohet në NATO.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.